(VIDEO) Qeveritarët për VMRO-në: Forcat e errëta anti-evropiane po mbajnë peng 2 milionë qytetarë
Ukraina dhe Moldavia filluan bisedimet qasëse për anëtarësim në BE. Shtetit të Gjeorgjisë ju dha statusi i kandidatit. Për Bosnjë dhe Hercegovinën u vendos të mbetet rekomandim i kushtëzuar për fillimin e negociatave të anëtarësimit. Maqedonisë së Veriut ju tha të kryejnë ndryshimet kushtetuese, për të përfunduar fazën e hapjes së negociatave për antarsim. Këto ishin vendimet e vendeve antare të BE-së, sa i përket zgjerimit të Unionit, ndërkaq, Shqipëria nuk u përmend në konkluzionet e KE-së.
Kryeministri i vendit Dimitar Kovaçevski, akuzoi VMRO-DPMNE-së, që vendi nuk vazhdoi fazën e dytë të hapjes së negociatave qasëse.
Dimitar Kovaçevski, kryeministër
“Konkluzionet e Këshillit Evropian ishin të qarta si kristali. Maqedonia e Veriut e ka kryer me sukses procesin e skriningut dhe kur të realizoj ndryshimet kushtetuese, menjëherë do të thirret konferenca e dytë ndërqeveritare, për hapjen e kapitujve për bisedimet. Nga ky konkluzion, e shohim se neve na është përsëritur Bukureshti i vitit 2008, gjegjësisht partia e njejtë politike e ka bllokuar rrugën e vendit për në BE”.
Të njejtin fajtor e shpall edhe shefi i diplomacisë Bujar Osmani. Sipas tij, kjo ditë mund të ishte ditë feste, por siç shprehet ai forcat e errëta, e kanë bllokuar rrugën drejtë BE-së.
Bujar Osmani, ministër i Jashtëm
“Urime Ukrainës dhe Moldavisë për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Sot mund të ishte një ditë për të festuar edhe këtu për hapjen e kapitujve, por forcat e errëta antievropiane po mbajnë peng 2 milionë qytetarë. Edhe pak!”.
Kurse për VMRO-n opozitare, vendimet e Samitit në Bruksel treguan se Kovaçevski dhe Osmani duke udhëhequr gabimisht politikëne jashtme, e kanë sjellë Maqedoninë në situatë dëshpëruese.
Marija Miteva, zëdhënëse e VMRO-s
“Pushteti i Kovaçevskit dhe Ahmetit i ka të gjitha pikat e lidhjes me korrupsionin politik, prandaj ka të drejtë Bujari kur thotë se fuqi të errëta antievropiane i mbajnë peng 2 milion qytetarë. Disa prej tyre janë edhe në listat e zeza, si Ramiz Merko, dhe disa si Talati që e keqpërdorin flamurin evropian për Lotari të BDI-së”.
Përndryshe, gjatë sjelljes së vendimit të liderëve evropian për Ukrainën, kryeministri Viktor Orban e kishte lëshuar takimin, për të shkruar më pas në facebook se Ukraina nuk është e përgatitur për të nisur bisedimet qasëse me BE-në. Marrja e një vendimi nga BE-ja për nisjen e shqyrtimit të kapitujve të negociatave me Shqipërinë është shtyrë pa afat. Gazeta greke “Katimerini”, ka thënë se kancelarit Olaf Scholz e mbështet Shqipërinë dhe jo Greqinë që i ka vendosur veto shtetit shqiptar.
Ndërkaq, në ditën e dytë të Samitit qeveritë e vendeve anëtare të BE-së vazhdojnë diskutojnë edhe për Lindjen e Mesme dhe luftën në mes Izraelit dhe Gazas, si dhe tema të tjera.
Emine Ismaili /SHENJA/