Kosovë, protestë me kërkesë që femicidi të trajtohet si urgjencë kombëtare Qindra gra dhe burra pjesëmarrës në k

Kosovë, protestë me kërkesë që femicidi të trajtohet si urgjencë kombëtare Qindra gra dhe burra pjesëmarrës në k

Është mbajtur protestë gjithëpopullore në Prishtinë me thirrjet që dhuna në bazë gjinore dhe femicidi të trajtohen si urgjencë kombëtare, raporton Anadolu.

Nën organizimin e organizatës Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, qindra gra dhe burra pjesëmarrës në këtë protestë brohoritën se “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave” duke marshuar nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri tek ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.

Disa nga protestuesit mbanin po ashtu pankarta me mesazhe si “Burrat vrasin gratë, shteti heshtë”, “Drejtësi për Liridonën”, “Gjykata armike të grave” dhe pankarta të tjera, duke kërkuar kështu që ky fenomen të trajtohet me urgjencë nga shteti dhe që vrasësit të marrin dënimin e merituar nga institucionet përkatëse.

Liridona Sijarina nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist në një deklaratë para të pranishmëve përballë Qeverisë tha se patriarkati është e përditshmja e dhunshme në Kosovë, ndërsa lufta ndaj këtij fenomeni bashkon qytetarët.

Ajo tha se sistemi aktual i drejtësisë prodhon burra dhunues dhe vrasës dhe po ashtu prodhon gra viktima.

“Kjo luftë nuk është vetëm e jona. Kjo luftë është e gjithë secilit këtu dhe në çdo cep të Kosovës. Ne jemi të vetëdijshme që ky sistem ndonëse jo në masë të njëjtë si vajzat dhe gratë, i shtypë edhe djemtë dhe burrat në Kosovë. E dimë që ky sistem e pamundëson çdolloj paqe a drejtësi shoqërore”, theksoi ajo.

Kjo protestë mbahet vetëm disa ditë pas vrasjes tronditëse të 30-vjeçares Liridona Ademajt, e cila sipas autoriteteve kosovare është kryer natën e 29 nëntorit me porosi të bashkëshortit të saj, Naim Murselit, i cili ndodhet në paraburgim bashkë me dy persona të tjerë të dyshuar për bashkëpunim në këtë vrasje.

Protestuesit gjatë protestës kanë përmendur emrat e grave të vrara përgjatë viteve në Kosovë, duke kërkuar drejtësi për secilën prej tyre, ku prezent në këtë protestë ishin edhe të afërmit e disa prej viktimave gra.

MARKETING