Reagon Angjushev, thotë se do të përdor të gjitha mjetet ligjore për “daljen nga lista e zezë”

Reagon Angjushev, thotë se do të përdor të gjitha mjetet ligjore për “daljen nga lista e zezë”

Ndërkohë ka reaguar Koço Angjushev, në cilësinë e pronarit dhe drejtor ekzekutiv i grupit Fero Invest dhe BRAKO. Ai pretendon se gjatë mandatit në Qeveri ka punuar me respekt të plotë të të gjitha ligjeve dhe dispozitave kushtetuese të shtetit dhe në interes të ekonomisë maqedonase.

“Katër vjet pas dorëheqjes sime të vetëiniciuar nga Qeveria, nuk ka asnjë proces gjyqësor për asnjë segment të punës sime, për arsye që nuk kanë asnjë bazë. Në Maqedoni kam të punësuar 1000 persona, ndërsa gjatë mandatit tim kompanitë e mia kanë shënuar vetëm rënie dhe humbje, gjë që është e regjistruar edhe në shërbimet financiare shtetërore. Unë kam kompani në Britaninë e Madhe, Gjermani, Holandë dhe në SHBA, dhe jam një taksapagues amerikan, pra paguaj taksa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jam partner dhe bashkëpunëtor me subjekte dhe persona të rëndësishëm ekonomikë në SHBA”, ka thënë Angjushev.

Ai ka thënë se i mohon me forcë të gjitha dyshimet e shprehura në dokumentin e publikuar nga Departamenti i Shtetit “Dua të njoftoj se do ta apeloj vendimin dhe do të përdor të gjitha mjetet juridike të specifikuara në vetë dokumentin në drejtim të tërheqjes së këtij vendimi, të cilin e konsideroj të panevojshëm në kuadër të angazhimeve ndaj miqve tanë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të luftuar korrupsionin”, ka thënë Angjushev. /SHENJA/

MARKETING