Gjashtë fëmijë të zhdukur në tre vitet e fundit në Maqedoni nuk janë gjetur ende
Në tre vitet e fundit, gjashtë fëmijë nën moshën 14 vjeç të zhdukur në Maqedoninë e Veriut nuk janë gjetur ende. Sipas MPB-së, bëhet fjalë për fëmijë nga Prilepi, Gjevgjelia, Kumanova, Shtipi dhe dy fëmijë nga Shkupi, për të cilët ka pasur kërkim aktiv.
Për zhdukjen e fëmijës nga Prilepi ishte alarmuar i gjithë opinioni. Bëhet fjalë për Petar Jobeski, i cili u zhduk më 25 shkurt 2022, në fshatin Vrpsko. Në kohën kur u zhduk, ai ishte dhjetë vjeç.
Publiku mori vesh për zhdukjen e tij pasi familjarët postuan foto të tij dhe një apel për ndihmë për gjetjen e tij në rrjetet sociale. Më pas MPB njoftoi se ishte raportuar zhdukja e fëmijës. U organizuan disa kërkime, të cilat u vështirësuan nga stuhia e borës, por Pjetri nuk u gjet.
Prindërit e tij kanë thënë disa herë për “Fokus” se dyshojnë se u është rrëmbyer fëmija i tyre dhe tashmë rasti është harruar nga opinioni. Fotografia dhe të dhënat e tij janë publikuar në faqen e personave të zhdukur të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Edhe vajza e zhdukur nga Kumanova, Elif Idiç, është zhdukur që nga viti 2022. Ajo ishte shtatë vjeç kur u zhduk. E zhdukur është edhe nëna e saj Sabina Sabedinovska.
Fillimisht të afërmit e vajzës publikuan foto në rrjetet sociale dhe më pas MPB-ja konfirmoi për “Fokus” se zhdukja ishte denoncuar. Pas disa javësh në faqen me persona të zhdukur janë publikuar edhe fotot e nënës dhe vajzës.
Ndërsa katër fëmijët tjerë nën moshën 14 vjeçare, të zhdukur nga viti 2020 e deri më sot, nga të cilët dy janë nga Shkupi, një nga Gjevgjelia dhe një nga Shtipi dhe për të cilët kërkimi ishte aktiv, nuk janë publikuar në faqe. Kush janë dhe si duken, publiku i gjerë nuk e di.