Regjim i posaçëm i trafikut në Shkup për shkak të Këshilit ministror të OSBE-së
Ministria e Punëve të Brendshme e informon opinionin se duke filluar nga sot nga ora 13:00, e deri në përfundim të Këshillit Ministror të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) 2023 dhe më datë 30.11.2023 ( e enjte), i cili do të mbahet në QSR “Boris Trajkovski” në Shkup, për trafik do të jenë të mbyllura blv. “Ilindeni”, edhe atë nga udhëkryqi me blv. “Shën Klimenti i Ohrit” deri në udhëkryqin me rr. “E Lubjanës” dhe blv. “8-të Shtatori”, deri në udhëkryqin me rr. “Skupi” deri në udhëkryqin me blv. “Aradhat Partizane”.
Nga MPB-ja njoftojnë se për këto arsye Njësiti për siguri në komunikacionin rrugor do të ndërmerr masa për regjim të posaçëm të trafikut në pjesën qendrore të qytetit të Shkupit.
MPB-ja apelon te të gjithë qytetarët-pjesëmarrës në trafik t’i respektojnë urdhërat të cilat i japin nëpunësit policorë.
Në prag të Këshillit ministror të OSBE-së, dje u zhvillua një provë gjenerale me mbylljen e disa prej rrugëve në kryeqytet.
Në aspektin e sigurisë, MPB-ja thotë se janë plotësisht të përgatitur për Këshillin e ministrave, që për herë të parë mbahet në Maqedoninë e Veriut, e cila është shtet kryesues i OSBE-së.
Për shkak të mbajtjes së Samitit, me vendim të Qeverisë, sot punonjësit e administratës shtetërore dhe publike në Shkup do të punojnë deri në ora 12:00, ndërsa nesër është ditë jopune për administratën shtetërore dhe publike, dhe nuk do të punojnë as shkollat fillore dhe të mesme në zonën e Qytetit të Shkupit. Rekomandohet që sektori privat, veçanërisht në Komunën e Karposhit dhe komunat që gravitojnë rreth qendrës sportive “Boris Trajkovski” dhe hotelit “Aleksandar Palas”, të zbatojnë konkluzionet e Qeverisë. Ditë jopune nuk do të jetë për kopshtet dhe objektet shëndetësore.