Qeveria në Gaza: Izraeli me sulmin ndaj spitalit Al-Shifa kreu një krim të poshtër
Qeveria në Gaza deklaroi se ushtria izraelite kreu edhe një herë krim të tmerrshëm me sulmin ndaj spitalit Al-Shifa, transmeton Anadolu.
Zyra për media e qeverisë në Gaza në një deklaratë me shkrim ka reaguar në lidhje me pushtimin e ushtrisë izraelite në spitalin Al-Shifa, ku ndodhen mijëra civilë dhe pacientë.
Në deklaratë thuhet se “forcat izraelite kryen edhe një herë krim të urryer të planifikuar duke sulmuar spitalin Al-Shifa dhe duke hapur zjarr brenda spitalit, duke ditur se kishte rreth 9 mijë pacientë, të plagosur, personel mjekësor dhe civilë të zhvendosur”.
Më tej theksohet se ky sulm në spitalin Al-Shifa ishte një nga sulmet dhe masakrat e vazhdueshme të Izraelit kundër spitaleve, ambulancave dhe personelit mjekësor, që rezultoi me vrasjen dhe plagosjen e më shumë se 700 personave.
Në deklaratë thuhet se Izraeli edhe më herët ka kryer masakër në spitalin Baptist Al-Ehli dhe theksohej se duke pushtuar sot spitalin Al-Shifa ka kryer një krim historik.
Spitalet dhe personeli mjekësor kanë qenë objektivi që nga dita kur filluan sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës. “Forcat okupuese kanë shënjestruar 198 mjekë, infermierë dhe personel të ndihmës së parë dhe 55 ambulanca deri më tani në këto sulme brutale, dhe 25 spitale janë jashtë shërbimit”, tha Zyra për media e qeverisë në Gaza.
Sot në mëngjes, ushtria izraelite bastisi spitalin Al-Shifa, institucioni më i madh shëndetësor në rajon ku ndodhen mijëra pacientë dhe civilë të zhvendosur në Gaza.