(VIDEO) Deskovska: Raporti i KE-së duhet të aktivizojë alarmin
“Raporti i Bashkimi Evropian për progresin e çdo vendi kandidat për anëtarësim është “dëftesë” me vlerësime për institucionet. Pjesa e raportit për gjyqësorin në pjesën më të madhe është vlerësim për punën e Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit Gjyqyësor në vitin e kaluar. Ky raport fletë për sukeset dhe dështimet tona”. Kështu u shpreh ish ministrja e Drejtësisë, Renata Deskovska, duke shtuar se raporti i KE-së duhet të aktivizojë alarmin në Ministrinë e Drejtësisë dhe Këshillin Gjyqësor.
RENATA DESKOSKA, ISH MINISTRE E DREJTËSISË
“Raporti i BE-së për (mungesën) e progresit ju tregoi ‘fotografinë’ e vërtetë, të shëmtuar të Dorian Grejit. Mos e largo shikimin prej saj, nuk do të zhduket. Përkundrazi, në vend që të zhvendosni përgjegjësinë dhe të mohoni realitetin, lini mënjanë kotësinë, kini parasysh se në këtë fushë ‘beteja për pikët e vogla politike’ e mbledhur përmes përleshjeve dhe mashtrimeve publike mund të jetë fatale (siç po dëshmohet tashmë) dhe mblidhni të gjitha kapacitetet intelektuale për të gjetur një rrugëdalje nga kjo situatë”.
Sipas saj, nëse i krahasojmë raportet e vitit 2019 e deri më sot mund të lexojmë vlerësimet e ardhshme për reformat në gjyqësor: viti 2019- progres i mirë, viti 2020 progres i mirë, viti 2021 pak progres, viti 2022-pak progres, viti 2023-nuk ka progres.
Reagimit të ish ministres Deskoska, iu përgjigj ministri aktual i Drejtësisë, Krenar Lloga.
KRENAR LLOGA, MINISTËR I DRJETËSISË
“Në terr shkruajnë ndryshime ligjore për ta shkatërruar sistemin e drejtësisë, në dritë mbajnë leksione për drejtësinë. O TEMPORA, O MORES!”
Shprehja latine “O tempora, o mores!” është përdorur nga Ciceron në fjalimin e tij kundër Katilinës, ndërsa në kohën moderne përdoret si thirrje dëshpërimi ndaj normave mbizotëruese shoqërore ose politike.
Linda Ebibi /SHENJA/