Kolomina: Maqedonia e Veriut ka një rol stabilizues, si në planin dypalësh ashtu edhe në atë shumëpalësh

Kolomina: Maqedonia e Veriut ka një rol stabilizues, si në planin dypalësh ashtu edhe në atë shumëpalësh

Maqedonia e Veriut që nga anëtarësimi i saj në NATO i konfirmon përpjekjet e saj për respektimin e vlerave që i promovon dhe i përfaqëson Aleanca. Është një anëtare e respektuar e cila kontribuon për sigurinë në nivel rajonal, por edhe një aleat i përkushtuar që i respekton qëllimet dhe vlerat e përbashkëta. Këtë mes tjerash, e deklaroi Zëvendësndihmës Sekretari i Përgjithshëm për Çështje Politike dhe Politikë të Sigurisë së NATO-s Përfaqësues Special i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Kaukazin dhe Azinë Qendrore Havier Kolomina, në konferencën e sotme për shtyp pas takimit me shefin e diplomacisë së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Kolomina para mediave theksoi se që nga anëtarësimi, Maqedonia e Veriut e ka dëshmuar gatishmërinë e saj në kuadër të bashkësisë ndërkombëtare për të vazhduar punën për vendosjen e stabilitetit aty ku është e nevojshme, në këtë rast duke i theksuar edhe sfidat e sigurisë rajonale.

“Me rëndësi strategjike është ruajtja e stabilitetit të rajonit. Për këtë do të flasim në takimin e MPJ-së të planifikuar për në fund të nëntorit… Aty edhe një herë do të nënvizoj se si në planin shumëpalësh ashtu edhe në atë dypalësh Maqedonia e Veriut ka një rol stabilizues”, tha ai.

Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, nga ana e tij, theksoi se me përfaqësuesin e NATO-s kanë pasur një bisedë produktive të fokusuar mbi situatën e sigurisë në rajon, gjatë së cilës është theksuar pëlqim për nevojën e veprimit të sinkronizuar të NATO-s, por edhe  të BE-së në këto hapësira, me qëllim të përshpejtimit të proceseve për integrimin euroatlantik.

Sipas Osmanit, ky hap është kyç për forcimin e stabilitetit rajonal, ndërssa kjo, siç theksoi, do ta parandalojë veprimin e vendeve të treta në rajon.

Lidhur me anëtarlsmin trevjeçar  të Maqedonisë së Veriut në NATO, Osmani tha se në atë periudhë vendi ka dëshmuar se është kredibil dhe alet përgjegjës drejt promovimit të sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare.

Osmani edhe një herë tha se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj politikës së NATO-s së dyerve të hapura dhe në këtë kontekst pritje për ratifikim të shpejtë të protokollit inkuadrues të Suedisë që do ta hapë rrugën për anëtarësim të plotfuqishëm të saj në NATO.

“Konsiderojmë se zgjerimi i NATO-s nuk paraqet kërcënim për asnjë vend, përkundrazi – është drejtuar ndaj bashkëpunimit gjithpërfshirës dhe stabilitetit të rajonit transatlantik”, tha Osmani.

 

MARKETING