Maqedonia votoi përmbajtur për ndalimin e luftimeve në Gaza! Kovaçevski: Rezoluta nuk dënonte sulmin terrorist të Hamasit
Kryeministri Dimitar Kovaçevski deklaroi se kanë vendosur që të votojnë përmbajtur për Rezolutën e Jordanisë për ti dhënë fund luftës në Gaza, për shkak se rezoluta i adresonte çështjet humanitare me të cilat ata pajtohen, por jo edhe, sipas tij, aktin terrorist të bërë nga Hamasi më 7 tetor.
“Maqedonia e përkrah asketin humanitar të rezolutës Jordaneze, nevojën për mbrojtje të civilëve dhe qasjen e tyre deri tek nevojat elementare për jetë- rrymë, ujë, ilaçe. Nga ana tjetër mungesa e madhe e rezolutës ishte mos përmendja e aktit terrorist të Hamasit më 7 tetor të cilin ne ashpër e kemi dënuar, si dhe të drejtën e Izraelit për tu mbrojtur. Për këtë shkak edhe kemi votuar për amendamentin kanadez për rezolutën. Vendimi për të votuar nuk ishte e lehtë. Vendosëm të votojmë përmbajtur ngase nga njëra anë rezoluta i adreson çështjet humanitare me të cilat pajtohemi dhe i përkrahim, por mungesa e përmendjes së asaj që ka bërë Hamasi më 7 tetor nuk le hapësirë për qasje ndryshe në lidhje me votimin”, tha Kovaçevski raporton SHENJA.
Kovaçevski shpjegoi se ambasadori Lubomir Fërçkovski për votimin në Kuvendin Gjeneral të OKB-së qëndrimin e ka marrë nga MPJ, e cila, tha ai, është pjesë e Qeverisë.
Rezoluta e Kuvendit Gjeneral të OKB-së, ishte iniciuar nga Jordania, dhe u votua me 120 vota “për”, 45 shtete ishin të përmbajtur mes tyre edhe Maqedonia, ndërsa 14 ishin kundër.