(VIDEO) Dialogu Kosovë – Serbi, takimi në Bruksel nuk solli dakordim mes palëve
Të enjten në Bruksel krerët evropianë dhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell kanë takuar ndaras kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ky takim nuk solli ndonjë dakordim mes palëve, pasi siç njoftoi Qeveria e Kosovës, presidenti serb ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshjen e ofruar nga evropianët.
Kryeministri Albin Kurti pas takimit me liderët evropianë në Bruksel, deklaroi se është i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjeve me Serbinë, e cila garanton zbatimin e tyre, që përfshinë edhe draftin evropian për Asociacionin.
Në njoftimin e bërë nga Qeveria e Kosovës thuhet se, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore, me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit, si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët më 21 tetor, 2023.
Vuçiq ka deklaruar para mediave se Serbia nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në OKB, hapa që, në njëfarë mënyre, i kërkon Marrëveshja Bazë. Ai tha se megjithatë janë të gatshëm të pranojnë propozimin për Asociacionin.
Ndërkaq, shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha mbrëmjen e së enjtes se Kosova dhe Serbia nuk qenë të gatshme të pajtohen me njëra tjetrën në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Pas përfundimit të takimit në Bruksel, përmes një video-adresimi, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se janë shumë të shqetësuar për ngërçin në dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha se sulmet e fundit terroriste të 24 shtatorit janë dënuar sërish nga Bashkimi Evropian në takimet që kanë pasur me përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë.
Më 21 tetor të dërguarit amerikanë dhe evropianë në Prishtinë e Beograd u dorëzuan palëve një dokument për zbatimin e marrëveshjes Bazw. Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve në muajin shkurt në Bruksel, ndërsa për Aneksin e Zbatimit të saj janë dakorduar në muajin mars në Ohër. Në asnjërin prej dokumenteve, palët nuk i kanë vendosur nënshkrimet. Kurti tha se edhe atëkohë ka qenë i gatshëm të nënshkruajë. /SHENJA/