Qeveria e Kosovës: Kurti i gatshëm ta nënshkruajë Marrëveshjen sot në Bruksel, Vuçiqi e refuzoi

Qeveria e Kosovës: Kurti i gatshëm ta nënshkruajë Marrëveshjen sot në Bruksel, Vuçiqi e refuzoi

Qeveria e Kosovës ka dhënë detaje për takimin e kryeministrit Albin Kurti, me me liderët evropianë.

Në një komunikatë për media thuhet se, Kurti ka thënë se veç nënshkrimi i marrëveshjeve nënkupton pranim dhe garantim të tyre, duke iu referuar Marrëveshjes Bazike të Brukselit të arritur në shkurt sivjet dhe Aneksin e Zbatimit të arritur në Ohër, bëhet e ditur në një komunikatë për media të enjten në mbrëmje nga Qeveria e Kosovës.

“Në takimin e sotëm, me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Xhorxhia Melloni, presidentin e Këshillit Evropian, Sharl Mishel, zëvendës presidentin e Komisionit Evropian dhe përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë Joseph Borrell, si dhe emisarin e tij Mirosllav Lajçak, Kryeministri Kurti i falënderoi të gjithë ata për rolin, angazhimin dhe kontributin për paqe dhe normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”.

Kurti theksoi që, pas sulmit të agresionit të 24 shtatorit, në Zveçan, prioritet për të është siguria në Kosovë, në veçanti siguria e kufirit me Serbinë, meqë nga ana tjetër erdhën paramilitarët të cilët kryen sulm terrorist e kriminal duke vrarë e plagosur policë të Kosovës. Që kjo të mos përsëritet kurrë më, nevojiten sanksione dhe ndëshkim për Serbinë.

“Hetimet për grupin paramilitar e terrorist të sponzorizuar nga Serbia, duhet të përcaktojnë saktë se kush krejt çka bëri dhe si e ekzekutoi këtë akt agresioni, ndërkohë që nuk ka më dilema as te faktorët ndërkombëtarë mbi fajtorin”, shtoi ai.

Ndërsa ka theksuar se Kosova është kampion në sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor, gjë që është konstatuar edhe nga organizata prestigjioze ndërkombëtare World Justice Project. Grupi paramilitar terrorist i Millan Radoiçiqit dhe përgjegjësit e tjerë duhet të ekstradohen në Kosovë, ku do të kishte një gjykim të drejtë dhe fer, aq më tepër kur dihet se sistemi i drejtësisë në Kosovë dhe proceset gjyqësore monitorohen nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX.

Kurti rikujtoi që ai ishte i gatshëm të nënshkruaj edhe në Bruksel më 27 shkurt 2023 edhe në Ohër më 18 mars 2023, edhe sonte, më 26 tetor 2023, duke theksuar që pikërisht Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja e duhur, në vendin e duhur për nënshkrim të Marrëveshjes Bazike, përfshirë edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe ShBA-të për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike.

“Përkundër kësaj oferte gjeneroze të Kryeministrit Kurti, Presidenti i Serbisë, Vuçiq, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21 tetor 2023”, thuhet më tej.

Për progresin demokratik dhe ekonomik të saj, Kurti tha që Kosova e meriton statusin e vendit kandidat për BE, pra edhe bashkimin e pesë shteteve të mbetura të Bashkimit Evropian me shumicën prej 22 sosh, në njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ndërkaq siguria e kufijve për Kosovën, bashkë me sigurinë kolektive në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ngriten cilësisht nëpërmjet Marrëveshjes për Partneritet për Paqe me NATO-n drejt anëtarësimit të Kosovës në aleancën veri-atlantike.

Në fund të takimit, Kryeministri Kurti tha se pranimi nënkupton nënshkrim, vetëm nënshkrimi nënkupton pranimin dhe garanton zbatimin./Telegrafi/

MARKETING