(VIDEO) Ndryshimet në kodin penal shpëtuan Mijallkovin, Kovaçevski arsyetohet me legjislacionin europian
Me respektimin e legjislacionit evropian edhe sot kryeministri Dimitar Kovaçevski arsyetoi ndryshimet në Kodin Penal, me të cilat, ndër të tjera, dje zyrtarisht u lirua nga akuza për përgjimet masive, ish-drejtori i Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit, Sasho Mijallkov, mbi çështjen gjyqësore Target- Fortesa. Kryeministri nuk ka dashur të komentojë vendimin e gjykatës për vjetrimin e lëndës, por ka përsëritur se ka propozuar ndryshime në Kodin Penal për shkak të respektimit të legjislacionit europian.
DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR
“I gjithë vendimi për ndryshimin e Kodit Penal është marrë me qëllim të harmonizimit me legjislacionin evropian dhe jo për raste konkrete që janë në proces prej 8, 9 apo 10 vitesh. Sipas asaj teze, do të thoshte se nuk duhet të ketë vjetërsim për asgjë dhe se të gjitha çështjet gjyqësore mund të zgjasin 50-60 vjet nëse zgjidheshin. Megjithatë, praktika e vendeve anëtare të BE-së tregon afate që sigurojnë një gjykim në përputhje me praktikën, e cila ofron efikasitet për të gjitha palët në proces”.
Ambasadori europian David Geer theksoi se pozicioni I Komisionit Europian nuk ka ndryshuar dhe se ata kanë shprehur shqetësim të thellë lidhur me implikimet e vetë parimit të mosndëshkimit për shkak të ndryshimeve në Kodin Penal.
DAVID GIR, EUROAMBASADOR
“Komisioni Evropian ishte shumë i qartë për ndryshimet në Kodin Penal. Ata shprehën shqetësim të thellë lidhur me implikimet e vetë parimit të mosndëshkimit për shkak të këtyre ndryshimeve si dhe për shkak të përdorimit të flamurit evropian. Pozicioni nuk ka ndryshuar. Komisioni Evropian është duke ndjekur zhvillimet në gjyqësor, të cilat rrjedhin nga aplikimi i ndryshimeve në Kodin Penal dhe paralajmëroi se do të dalin me vlerësime dhe komente të reja”.
Zëvendëskryeministrja për politika të qeverisjes së mirë Sllavica Grkovska në një deklaratë për media lidhur me ndërprerjen e procedurës penale për përgjimin e paligjshëm të Rastit Target-Fortesa, tha se kjo është një lëndë që u zhvillua në labirintet e gjykatës për pesë vite, madje edhe më shumë, apeli e mbajti në mënyrë të pajustifikueshme për nëntë muaj dhe ne ishim të vetëdijshëm se ishte afër rrezikut të vjetërsohej tashmë vitin e kaluar kur ndodhi vendimi i Apelit.
SLLAVICA GRKOVSKA, ZËVENDËSKRYEMINISTRE PËR POLITIKA TË QEVERISJES SË MIRË
“Apeloj për përgjegjësi të organeve të drejtësisë sepse ka ende kohë të mjaftueshme pas kaq vitesh që lëndët nga Prokuroria Speciale Publike të procedohen dhe përfundojnë në një procedurë efikase dhe të drejtë dhe organet e drejtësisë të tregojnë se gjykojnë sipas ligjit, pavarësisht se për kë bëhet fjalë. Siç e kam thënë kohë më parë, po e përsëris tani , të mos silleni si politikanë më të mëdhenj se politikanët”.
Lënda “Target-Fortesa”, e cila i referohet përgjimeve masive, u vjetërsua pas 5 vitesh e 9 muajsh labirint gjyqësor. Në këtë rast janë akuzuar gjithsej 11 persona.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/