(VIDEO) Kovaçevski: Brenda muajit do të ketë zgjidhje për pagat e funksionarëve
Zgjidhje e re për korrigjimin e pagave të funksionarëve shtetëror, do të ketë në dy javët e ardhëshme. Kështu deklaroi kryeministri Dimitar Kovaçevski, në pyetjen nëse një gjë e tillë është diskutuar në seancën e djeshme të Qeverisë, pasi zëvendës kryeministri për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi bëri me dije se do të bëhet korrigjimi i pagave të personave të zgjedhur dhe emëruar me qëllim që të vie deri te një vendim më i arsyeshëm. Kjo zgjidhje sipas Kovaçevskit duhet të diskutohet me palë të ndryshme, sepse sipas tij, nuk sillet vendim vetëm për pagat e ministrave, por edhe e kryetarëve të komunave, gjykatësve, prokurorëve, deputetëve.
Dimitar Kovaçevski, kryeministër
“Do të formohet një grup pune, I cili do të përbëhet nga ministra, persona të fushës së punës dhe sociales, nga resorët ekonomik, të cilët duhet të gjejnë zgjidhje e cila do të jetë e qëndrueshme dhe nuk do të jetë përsëri e hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Sjellja e vendimeve që e rëndojnë sistemin e pagave, ku për disa të punësuar vlen një sistem i përllogaritjes së pagës, dhe për tjetrin tjetër sistem, flas për sektorin publik, do të thotë reagim”.
Nga 21 marsi, me vendim të Gjykatës Kushtetuese, 1050 funksionarëve (deputetë, gjyqtarë, prokurorë, kryetarë të komunave, drejtorë të fondeve të ndryshme, agjencive dhe kompanive shtetërore) u janë rritur pagat deri në 78 për qind.
Ky vendim shkaktoi reagime të ashpra në opinion dhe Qeveria njoftoi se do të gjendet mënyra për uljen e pagave të rritura sa më shpejt.
Ndërkohë, punonjësit e shëndetësisë, punonjësit e gjykatave, pensionistët dhe studentët u ankuan se po vdisnin nga uria, ndërsa zyrtarët luksoheshin me rritjen e pagave të tyre tashmë të larta.
Emine Ismaili /SHENJA/