Zyrtare: Barcelona-Xavi rinovojnë kontratën deri në 2025-ën

Zyrtare: Barcelona-Xavi rinovojnë kontratën deri në 2025-ën

Barcelona ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës së trajnerit Xavi Hernandez.

Klubi katalanas bën me dije në një njoftim në faqet zyrtare se Xavi do të jetë në krye të skuadrës “blaugrana” deri më 30 qershor 2025.

“FC Barcelona dhe trajneri Xavi Hernandez kanë arritur një marrëveshje për të rinovuar kontratën deri më 20 qershor 2025, me opsion edhe për një vit. Nënshkrimi u bë këtë të premte në zyrat e Spotify Camp Nou, në prani të presidentit Joan Laporta. Xavi Hernandez u bë trajner i FC Barcelona në nëntor 2021. Pas largimit nga Al Saad në Katar, katalanasi u kthye në klubin ku kaloi 24 vite të lavdishme si lojtar. Xavi solli me vete dëshirën për të gjetur një identitet të lojës. Sfida për trajnerin e ri ishte krijimi i një ekipi me përvojë dhe rini, objektiv i cili u arrit gradualisht. Rruga nuk ka qenë gjithmonë e qetë, pasi trajnerit i është dashur të përshtatë sistemin e ekipit me lojtarët në dispozicion dhe pengesat e hasura gjatë 18 muajve të fundit. Që kur u bë trajner i Barçës, Xavi ka debutuar me 12 lojtarë nga La Masia. Aleix Garrido, Angel Alarcon, Chadi Riad, Marc Casado, Inaki Pena, Mika Marmol, Estanis Pedrola, Alvaro Sanz, Ferrant Jutgla, Ilias Akhomach, Lamine Yamal dhe Fermin Lopez kanë luajtur të gjithë për skuadrën e parë që nga 29 nëntori 2001. Trajneri, Xavi fitoi 60 ndeshje, barazoi 17 dhe humbi 19, si dhe fitoi Superkupën e Spanjës (3-1 ndaj Real Madridit në finale) dhe titullin e La Ligas 2022-2023.”-njofton Barcelona.

MARKETING