Al Hilal prezanton mega-ofertën e re për Osimhen

Al Hilal prezanton mega-ofertën e re për Osimhen

Al Hilal nuk është duke u dorëzuar në përpjekjet për të siguruar shërbimet e Victor Osimhen, aq sa i ka ofruar yllit të Napolit një ofertë jashtëzakonisht luksoze.

La Gazzetta dello Sport detajon se klubi saudit e ka përqendruar gjithë vëmendjen te nigeriani, pas dështimit për ta transferuar Kylian Mbappen nga Paris Saint-Germaini.

Napoli nuk e ka në plan ta shesë 24-vjeçarin këtë verë dhe ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me agjentin e tij, Roberto Calenda, në përpjekje për të arritur kontratë të re. Pengesë e deritanishme ka qenë klauzola e lirimit, prandaj nuk është arritur marrëveshja ende.

Sipas gazetës italiane, Al Hilal i ka ofruar Osimheni një kontratë me përfitime totale prej 200 milionë eurosh (por nuk dihet saktësisht nëse është kontratë katërvjeçare me nga 50 milionë euro në sezon apo kontratë pesëvjeçare me nga 40 milionë euro në sezon).

Në anën tjetër, edhe Partenopei i kanë vënë çmim prej 200 milionë eurosh lojtarit dhe nuk do të tërhiqen nga kjo shumë kur dihet se presidenti Aurelio De Laurentiis është një negociator i vështirë. /Telegrafi/

MARKETING