Federata franceze e boksit: Meçi nuk ishte për titull, Mohammedi u privua nga fitorja

Federata franceze e boksit: Meçi nuk ishte për titull, Mohammedi u privua nga fitorja

Federata e Boksit e Francës ka shkruar të dielën se Nadjib Mohammedi është privuar nga një fitore e madhe në Prishtinë. Boksieri me përvojë nga Franca të shtunën mbrëma në “Fadil Vokrri” boksoi kundër Robin Krasniqit. Mohammedi u diskualifikua në raundin e nëntë për goditje të palejuara dhe fitorja i takoi Krasniqit. Ka pasur reagime të shumta lidhur me mënyrën se si përfundoi meçi kryesor i mbrëmjes në Prishtinë.

Mohammedi ishte më aktiv dhe ishte në shumicën e kohës në sulm. Ka reaguar shumë herë në vendime të gjyqtarit në ring dhe ka pasur vlerësime nga kampi i Krasniqit se shumë prej goditjeve të tij ishin të palejuara. Gjyqtari Ajet Rreci i ka dhënë katër herë vërejtje publike, ndërsa pas vërejtjes së pestë ka ndërprerë meçin, duke e shpallur Krasniqin fitues.

Në Federatën e Boksit të Francës, që mbulon si boksin amator ashtu edhe boksin profesional, kanë vlerësuar se Mohammedi është privuar nga fitorja e madhe.

“Mohammedi humbi me diskualifikim në rundin e nëntë të një lufte të cilën e dominoi në mase të madhe përballë Robin Krasniqit”, shkruan në raportin e federatës franceze.

Federata e Boksit të Francës ka shkruar se për shkak të parave, meçi nuk ishte për titullin e paralajmëruar. Në fakt Krasniqit nuk iu dha asnjë brez pas fitores, ndërsa organizatorët nuk e kanë përmendur faktin që meçi megjithatë nuk ishte për titullin WBC Silver në kategorinë gjysmë të rëndë. Për shumë kohë meçi është reklamuar si për titullin WBC Silver. WBC është prej versioneve të mëdha në boksin profesionist.

“Ky duel midis dy boksierëve të kategorisë gjysmë të rëndë është dashur të jetë për brezin WBC Silver dhe pritej ta dërgonte fituesin në krye të renditjes në WBC. Por për arsye të errëta financiare, në fund ishte një luftë jo e vlefshme për titull”, ka shkruar Federata franceze në faqen zyrtare.
kanë shkruar se Mohammedi, ndonëse 38-vjeçar, vazhdon të jetë i gatshëm të luftojë kudo dhe kundër çdo kujt. Federata i ka bërë një përshkrim të detajuar meçit si dhe ndërhyrjeve të gjyqtarit në ring.

“Nadjib Mohammedi tregoi se mbetet garues i nivelit më të lartë, duke dominuar ndaj një boksieri në Top-10 të WBC-së për nëntë raunde”, ka shkruar federata franceze.

Edhe në sajtin e specializuar për boksin profesionist “boxrec” nuk shkruan që meçi ishte për titull. Krasniqi shënoi fitoren e 53-të në boksin profesionist. I ka edhe shtatë humbje.

Mohammedi, që me prejardhje është nga Algjeria, ka 45 fitore e dhjetë humbje.

Ka pasur plot zhvillime në mbrëmjen në “Fadil Vokrri”. Për shkak të shiut meçet nisën me një orë vonesë. Shumë e diskutueshme ishte edhe fitorja e Bernardin Jakajt. Jo rastësisht edhe në atë meç, në ring ishte Ajet Rreci, i vlerësuar edhe si protagonisti kryesor i mbrëmjes. Armend Xhoxhaj dominoi plotësisht ndaj boksierit nga Afrika e Jugut, Lebogang Mashitoa. Por ndaj tij fitoi në mënyrë jo të zakonshme. Edhe Mashitoa u diskualifikua. Ai zbathi këpucët sportive pasi po rrëshqiste në ringun e lagur.

Të gjithë tetë boksierët që u paraqitën, shënuan fitore. Komentet e reagimet ishin të shumta në rrjete sociale. Mbrëmja është vlerësuar edhe anti-reklamë për boksin nga komentuesit e ndryshëm.

Krasniqi është shprehur i lumtur për fitoren, ndërsa pas meçit ia ka dhënë këngës në ring.

Në rrjete sociale ka shkruar një falënderim, pasi në ring falënderoi shumë njerëz.

“Faleminderit populli im, faleminderit Prishtinë, faleminderit Kosovë, për gjithë këtë përkrahje tuajën. Jam shumë i emocionuar dhe i gëzuar, fillimisht nga realizimi i ëndrrës sime për të boksuar para jush, e edhe më me fitoren e sontme timen dhe tuajën gjithashtu. Falënderoj çdo ekip e person të angazhuar në këtë mega projekt timin. I juaji, Robin Krasniqi”, ka shkruar boksieri që jeton në Gjermani.

Ai vlerësohet prej boksierëve më të mirë shqiptarë të të gjitha kohëve. Gjatë rrugëtimit në boksin profesionist ka pasur momente shumë të lavdishme. Fitorja në Prishtinë nuk është prej atyre momenteve. /Kohanet

MARKETING