Shkupi sonte përballë Levskit të Bullgarisë
Shkupi rikthehet këtë të enjte në ‘Arena Todor Proeski’ për raundin e dytë të Conference League ku presin në sfidën e parë të duelit Levskin e Sofjes.
Skuadra nga Çairi kaloi në këtë raund falë 5 golave ndaj Hegelman Lituanen dhe pavarësisht se në kthim barazoi 0-0 me lituanezët optimizmi është i madh se këtë herë do të shënojnë para publikut të tyre duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt avancimit në raundin e tretë të Conference League.
Natyrisht që në këtë fazë, Levski përbën një kundërshtar shumë më të fortë se lituanezët, 26 herë kampionët e Bullgarisë kanë një traditë më shumë se 100-vjeçare, dhe në kompeticionet e UEFA-s kanë shijuar avancimin deri në çerekfinalet e Europa League dy herë, për herë të fundit në 2006.
Me një organikë ku ka lojtarë që vlerësohen mbi kufirin e një milionë eurove, bullgarët përbëjnë një pengesë aspak të lehtë, por kurrsesi të pakalueshme, me trajnerin e Shkupit Cihat Arslan që është i vetëdijshëm se këtë herë do t’i duhet një strategji ndryshe, përballë një skuadre që aplikon futbollin sulmues dhe vjen me statusin e favorites në Shkup.
Gjithsesi falë asaj që ka treguar këtë verë dhe mbi të gjitha edhe me përkrahjen e zjarrtë të tifozëve nga Çairi te Shkupi besojnë se këtë të enjte do t’u dhurojnë një paraqitje mbresëlënëse fansave shqiptarë.
Takimi Shkupi – Levski luhet sonte nga ora 21:00.