(VIDEO) Përfundoi mbikqyrja e jashtëzakonshme e 30 rasteve që kanë të bëjnë me Merkon

(VIDEO) Përfundoi mbikqyrja e jashtëzakonshme e 30 rasteve që kanë të bëjnë me Merkon

Prokuroria Themelore Publike njoftoi se mbikëqyrja e jashtëzakonshme e të gjitha lëndëve të ngritura ndaj kryetarit të Komunës së Strugës, Razmiz Merko, si dhe e rasteve që kanë të bëjnë me punën e Komunës së Strugës gjatë periudhës kur ai ka qenë kryetar komune  ka përfunduar.

Komisioni i Prokurorisë Publike, pas mbikëqyrjes së jashtëzakonshme  ka kryer kontroll në rreth 30 lëndë të parashtruara të cilat lidhen me kryetarin e Komunës së Strugës Ramiz Merko. Procedurat më të vjetra të përfunduara datojnë që nga viti 2006, dhe në disa nga rastet tashmë të zgjidhura, Komisioni u dërgoi prokurorëve publikë udhëzime lidhur me veprimet e tyre.

PROKURORIA PUBLIKE

“Prokuroria Themelore Publike e Strugës i udhëheq katër lëndë kundër personit të përmendur të themeluara që nga fillimi i vitit, si dhe po vepron në 2 lëndë në hetime paraprake nga viti 2021 që kanë të bëjnë me projekte konkrete të Komunës së Strugës. Për katër lëndë të tjera në veprim (2 nga viti 2019 dhe 2 nga viti 2022), prokurorët publikë që kanë ndërmarrë veprime kanë marrë indikacione dhe udhëzime për të përshpejtuar procedurën”.

Prokuroria themelore publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit ka gjithsej 5 lëndë. Ndër to është edhe rasti me blerjen e kontestuar të veturave zyrtare në Komunën e Strugës, së cilës i bashkëngjiten iniciativa e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe raporti i Entit Shtetëror për Revizion, dhe në të cilin është miratuar aktvendim për një pjesë të akuzave, por pjesa tjetër është ende objekt kontrolli. Prokurorit publik kompetent i janë dhënë udhëzime për veprime të mëtutjeshme lidhur me këtë rast.

Njëkohësisht, anëtarët e Komisionit kërkuan të përshpejtohen procedurat.

Gjithashtu, prokurorëve publikë iu tregua edhe një herë rëndësia e madhe e transparencës dhe llogaridhënies në zhvillimin e të gjitha procedurave në interes të publikut, potencojnë nga Prokuroria.

Prokuroria Publike beson se në të gjitha rastet aktive ndaj Merkos do të ndërmerren veprimet e nevojshme dhe do të hetohen të gjitha rrethanat dhe çdo vepër penale e konstatuar nuk do të mbetet pa ndjekje penale përkatëse. Prokuroria vendosi të zhvillojë një hetim pasi Departamenti Amerikan i Shtetit e vendosi kryetarin e Strugës së bashku me familjen e tij në “listën e zezë” të SHBA-së për përfshirje në korrupsion, përvetësim dhe ndërhyrje në procese gjyqësore dhe të tjera publike.  Medina Ajeti /SHENJA/

MARKETING