“I këshillova të firmosnin me Mane”, ish-mesfushori i Cityt: Klopp nuk e humbi shansin

“I këshillova të firmosnin me Mane”, ish-mesfushori i Cityt: Klopp nuk e humbi shansin

Historia e Sadio Mane në Angli mund të kishte marrë një rrjedhë tërësisht ndryshe nëse drejtuesit e Manchester Cityt do t’ia kishin “vënë veshin” këshillës së Yaya Toure. Ish-mesfushori nga Bregu i Fildishtë ishte një admirues i Mane në kohën kur sulmuesi aktivizohej me Southampton dhe në këtë formë, i lajmëroi drejtuesit e The Citizens që të firmosnin me senegalezin.

Por, askush nuk e mori në konsideratë këshillën e Toure, me Mane që më pas firmosi me Liverpool duke u shndërruar në një prej yjeve më të shndritshëm të Anfield.

“Kam pasur gjithnjë dëshirë që të isha në një skuadër me Mane. Kur unë luaja me Manchester Cityn, Mane aktivizohej me Southampton. I këshillova drejtuesit e Cityt që të firmosnin me Mane, por askush nuk e mori në konsideratë fjalën time.
Më pas ishte Klopp që nuk e humbi shansin për të transferuar Mane dhe të gjithë e dimë se çfarë bëi ai për Liverpoolin. Mane ishte brilant dhe mua më pëlqen shumë si lojtar”, u shpreh Yaya Toure.
Kujtojmë se Mane aktualisht është pjesë e Bayern Munich në Bundesligë, teksa e ardhmja e tij është ende e paqartë pas një sezoni me shumë ulje e ngritje në Bundesligë.

MARKETING