Milevski: Luajtëm ndaj skuadrës më të fortë në Evropë, por dështuam në të gjitha aspektet

Milevski: Luajtëm ndaj skuadrës më të fortë në Evropë, por dështuam në të gjitha aspektet

Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut në futboll pësoi humbje të thellë me rezultat 7:0 nga Anglia në stadiumin “Old Trafford” të Mançesterit. Ndeshja e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian 2024 u dominua plotësishy nga favoriti Anglia. Golat për për triumfin e madh të anglezëve u shënuan tre nga Saka, dy gola tjerë nga Kejn, përderisa nga njëherë rrjetën e gjetën Rashford dhe Filips. Pas ndeshjes, seleksionuesi Bllagoja Milevski iu ka kërkuar falje të gjithëve për paraqitjen e dobët, duke thënë se të gjithë janë fajtor.

Bllagoja Milevski, seleksionues

“Dua t’i kërkoj falje të gjithëve për paraqitjen tonë. Unë jam trajneri i kësaj skuadre, unë zgjedh lojtarët dhe përgjegjësia është e imja. Dua ti kërkoj falje gjithë kombit dhe një ndjesë të veçantë për të gjithë tifozët, veçanërisht ata që erdhën për të na mbështetur në Mançester.

Fatkeqësisht, gjëra të tilla ndodhin në futboll. Këta janë të njëjtët futbollistë që kanë luajtur me Italinë dhe Portugalinë. Unë jam i njëjti trajner, por ka ditë të tilla në futboll. Dështuam në çdo mënyrë. Duke filluar nga unë, pastaj në të gjitha linjat e fushës. Unë jam përgjegjës në radhë të parë, unë zgjedh lojtarët dhe vendos se kush do të luajë. Luajtëm kundër skuadrës më të fortë në Evropë, por dështuam në të gjitha pritshmëritë tona. Kjo nuk do të thotë se duhet të dorëzohemi, duhet të jemi të fortë dhe të bashkuar edhe në momente të vështira si kjo”

Përfaqësuesja e vendit pas tre ndeshjeve të zhvilluara në kuadër të këtyre eliminatoreve regjistron dy humbje dhe vetëm një fitore, duke u renditur kështu në pozitën e katërt në grupin C, me 3 pikë të grumbulluara. Ndërkohë, Anglia kryeson grupin me 12 pikë nga katër ndeshje të luajtura.

Ndeshjen e radhës Maqedonia në këto eliminatore e luan ndaj Italisë në muajin shtator në Shkup.

MARKETING