(VIDEO) VMRO: U keqpërdor flamuri evropian, deputetët u bënë antievropianë

(VIDEO) VMRO: U keqpërdor flamuri evropian, deputetët u bënë antievropianë

Vazhdojnë përplasjet në mes pushtetit dhe opozitës. Nënkryetari i  partisë opozitare, VMRO-DPMNE-, Vllado Misjalovski,  ka folur sot për  marrëveshjen  me Behtel dhe Enka. Misjallovski theksoi se i vjen keq që shumica qeverisëse nuk e ka parë që janë bërë deputetë anti-evropianë, sipas tij, vetë delegacioni evropian në Shkup ka deklaruar se këto ligje nuk guxojnë të barten me flamurin evropian.

VLLADO MISJALLOVSKI,NËNKRYETAR I VMRO-DPMNE-së

“Pamë që me një flamur europian, me forcë kaluan atë kontratën e famshme për Behtel dhe Enkën ku për herë të parë në histori në çdo qeveri miratohet një ligj i veçantë ku ligji i ndërtimit, ligji i urbanistikës, ligji i shpronësimit  dhe shumë ligje nuk do të zbatohen sepse kështu kanë vendosur”.

Nënkryetari i VMRO-së tha se vjen keq që këta deputetë nuk e kanë hetuar  që janë  bërë deputetë antievropianë, siç tha ai, vetë delegacioni evropian ka deklaruar që këto ligje nuk guxojnë të kalohen me flamur evropian.

Ndërkaq, në anën tjetër, partia në pushtet BDI, ka përshëndetur  vendimin e Kuvendit për miratimin e ligjeve që trasojnë rrugën e ndërtimit të Korridorit 8 dhe 10D. Sipas BDI-së, veprimi i shumicës së deputetëve i dhanë fund bllokadës tendencioze të opozitës.

BDI

“Opozita e kryesuar nga Mickoski vendosi të votojë kundër projektit që nënkupton dimension të ri zhvillimi dhe qarkullimi efikas, por sërish nuk do t’ia dalë të mbajë peng zhvillimin ekonomik të vendit, KORRIDORET DO TË NDËRTOHEN! Historia do t’i mbajë mend sot ata që votuan “pro” një kauze të drejtë zhvillimi, ashtu siç do t’i mbajë mend edhe ata që u rreshtuan kundër kësaj kauze dhe në dëm të qytetarëve”.

Edhe LSDM-ja qeveritare i ka dërguar një  porosi kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoskit, ku nga atje i bëjnë thirrje të njejtin, që të ndajë mendjen. Sipas LSDM-së, Mickoski duhet   të tregojë se a është me BE-në apo me Levicën.

LSDM

“Mickoski prej javësh nuk ka dhënë përgjigje dhe nuk u ka treguar qytetarëve se çfarë ka vendosur, a do të hyjë në bllokun evropian apo do të mbetet i izoluar me Dimitar Apasiev në bllokun antievropian. Në vend të kësaj, Mickoski, si zakonisht, vendosi të publikojë gënjeshtra të reja, mjegullnajë të re me të cilat mundohet të mashtrojë opinionin maqedonas… Mickoski duhet ta dijë se bllokimi i rrugës evropiane, përveç që do të rrezikojë të ardhmen e vendit, pozitat ndërkombëtare të shtetit, do të ndikojë negativisht edhe në marrëdhëniet me SHBA-në”.

Nga kjo parti gjithashtu  akuzojnë Mickoskin se nuk ka qëndrim për çështjet me rëndësi kombëtare.

Përndryshe, Kuvendi dje me procedurë të shkurtuar, miratoi ndryshimet dhe plotësimet e pesë ligjeve që lidhen me realizimin e Marrëveshjes me “Behtel dhe Enka” për ndërtimin e katër autostradave të Korridorit 8 dhe 10D, ndërsa opozita votoi kundër.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING