(VIDEO) Guvernatorja: Në 2023-shin ekonomia do të rritet me 2.1%

(VIDEO) Guvernatorja: Në 2023-shin ekonomia do të rritet me 2.1%

Sipas ciklit të fundit të projeksioneve makroekonomike të Bankës Popullore, këtë vit pritet një ngushtim i deficitit të llogarisë rrjedhëse, si rezultat i përmirësimit të mjedisit të jashtëm përmes uljes së presioneve tregtare, dhe mbi të gjitha në sektorin e energjisë, deklaroi Guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska, në kuadër të vizitës në Universitetin “Goce Dellçev” – Shtip. Ajo tha se flukset hyrëse financiare do të vazhdonin të ishin solide dhe do të mbulonin deficitin e llogarisë rrjedhëse, por në të njëjtën kohë do të mjaftonin për të rritur rezervat valutore. Megjithatë, pasiguria vazhdon dhe nevojitet monitorim i kujdesshëm, theksoi Bezhoska.

ANITA ANGELLOVSKA-BEZHOSKA, GUVERNATORE E BANKËS POPULLORE

“Lëvizjet në sektorin e jashtëm janë jashtëzakonisht të rëndësishme për Bankën Popullore, duke pasur parasysh strategjinë tonë monetare për ruajtjen e qëndrueshme të kursit të denarit. Deficiti i llogarisë rrjedhëse u zgjerua ndjeshëm vitin e kaluar, kryesisht si pasojë e krizës energjetike, pra importit të energjisë me çmime jashtëzakonisht të larta”.

Bezhoska theksoi se disa nga këto presione u zbutën nga rritja e lartë e remitancave nga jashtë. Remitancat, të cilat u prekën ndjeshëm gjatë periudhës së pandemisë siç tha ajo janë rritur me ritme të larta rritjeje prej 30 deri në 40% në periudhën e kaluar, duke arritur në 2.4 miliardë euro në vitin 2022, që është një nivel historikisht i lartë. Në periudhën afatmesme pritet që ato të vazhdojnë të rriten, por dukshëm më të moderuara me një rritje vjetore prej 3 deri në 4%, nënvizoi Bezhoska.

ANITA ANGELLOVSKA-BEZHOSKA, GUVERNATORE E BANKËS POPULLORE

“Pritjet për uljen e presioneve ndaj prodhuesve të energjisë, dhe rrjedhimisht edhe mbi deficitin tregtar, do të kontribuojnë në ngushtimin e deficitit të llogarisë rrjedhëse në vitin 2023 me 2.4 %e të Bruto Prodhimit Vendor me bazë vjetore, pra do të arrijë në 3.6% të BPV-së”.

Investimet e huaja direkte arritën në 5.7% të BPV-së vitin e kaluar, një nga normat më të larta ndonjëherë. Pritshmëritë për periudhën e ardhshme janë se ato do të vazhdojnë të rriten dhe mesatarisht do të jenë 3.7% të BPV-së në periudhën afatmesme, tha Guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING