(VIDEO) Dameva me padi për shkarkimin e saj nga kryetare e Këshillit Gjyqësor

(VIDEO) Dameva me padi për shkarkimin e saj nga kryetare e Këshillit Gjyqësor

Ish-kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, ka dorëzuar padi në Gjykatën Administrative për mënyrën se si është shkarkuar nga detyra dhe ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike, Shkup. Me padinë në gjykatën Administrative, ajo konteston ligjshmërinë e vendimit për shkarkimin e saj. Dameva për MIA thotë se vendimi është marrë pa ekzistimin e një baze ligjore dhe pa u zbatuar procedura e përcaktuar me ligj.

VESNA DAMEVA, ISH-KRYETARE E KËSHILLIT GJYQËSOR

“Duke marrë parasysh përkushtimin tim për shtetin e së drejtës, si dhe faktin që çdo paligjshmëri duhet të hetohet dhe konstatohet në procedurë dhe në mënyrë konform ligjit, kam bërë padi në Gjykatën Administrative, me të cilën kontestoj ligjshmërinë e vendimit të marrë për shkarkimin tim nga detyra e kryetarit të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Ajo theksoi se vendimi në thelb bazohet në faktet që siç thotë Dameva tashmë janë të njohura për opinionin.

Ajo e ka dorëzuar çështjen penale në prokurori pasi mendon se shkeljet e ligjit që janë bërë për t’u shkarkuar nuk janë vetëm të karakterit administrativ, por janë edhe në lëminë  e të drejtës penale. Dameva në deklaratën e saj pretendon se nuk kërkon mbrojtje ligjore për hir të saj, por për hir të mbrojtjes së reputacionit të institucionit të Këshillit Gjyqësor dhe rëndësisë së zyrës së kryetarit.

VESNA DAMEVA, ISH-KRYETARE E KËSHILLIT GJYQËSOR

“Unë mbetem konsistente me bindjen time se sistemi i drejtësisë ka kapacitet për t’iu përgjigjur të gjitha sfidave dhe për t’u ofruar mbrojtje ligjore qytetarëve dhe besoj se institucionet kompetente do të jenë në lartësinë e detyrës, dhe do të vendosin në procedurën ligjore. Në institucionet e shtetit nuk lejohet të sundojë paligjshmëria dhe se e njëjta nuk do të mbetet e harruar dhe e pasanksionuar”.

Vesna Dameva, në seancën e 26 prillit të këtij viti është shkarkuar nga pozita e saj. Seanca filloi në një atmosferë të tensionuar me akuzat e disa anëtarëve se Dameva ia ka fshehur letrën e ambasadores amerikane Angela Ageler. Më pas pati një debat për marrëdhëniet ndërpersonale, të cilin disa donin ta vendosnin në rend dite. Pas disa orësh atmosferë të tensionuar, në prani të Damevës, udhëheqjen e seancës e mori zëvendësi i saj Selim Ademi, i cili kërkoi votën për shkarkimin e saj. Shtatë anëtarë votuan “për”, dhe Ademi konkludoi se presidenti u shkarkua dhe caktoi një seancë të re për zgjedhjen e kryetarit të ri.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING