City “shkund” Bayern, Inter nuk fal në Portugali
Manchester City hedh një hap të sigurt drejt fazës gjysmëfinale në Champions League teksa mposhti në shtëpi me shifrat 3-0, Bayern Munich. Anglezët u shfaqën dominues në fushë, sidomos pasi zhbllokuan ndeshjen në minutën e 27-të me anë të Rodrigos që shënoi një gol mjaft të bukur nga distanca.
Në fraksionin e dytë, të besuarit e trajnerit Pep Guardiola u shfaqën me një marsh më shumë dhe në harkun e shtatë minutave (70,77) shënuan dy gola me anë të Bernardo Silvas dhe Erling Haaland. Në këtë formë, The Citizens shkojnë me shumë siguri në ndeshjen e kthimit javën tjetër në Allianz Arena.
Në sfidën tjetër, edhe Inter ia doli të merrte një rezultat mjaft shpresëdhënës në transfertë teksa mposhti me shifrat 0-2, Benficën.
Zikaltërit i gjetën dy golat në pjesën e dytë, fillimisht me Nicolo Barellën dhe më pas me Romelu Lukakun që nuk gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Në San Siro, Inter niset i qetë dhe me një këmbë në gjysmëfinalet e Champions League.