Universiteti i Tetovës propozon që 22 Nëntori – Dita e Alfabetit Shqip të shpallet festë shtetërore edhe në Shqipëri dhe në Kosovë

Senati i Universitetit të Tetovës, në mbledhjen e mbajtur më 27 shkurt të vitit 2023, e udhëhequr nga kryetari i Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ameti, e ka miratuar njëzëri propozimin që, 22 Nëntori – Dita e Alfabetit Shqip të shpallet festë shtetërore edhe në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës, thuhet në kumtesën nga Zyra për informim e Universitetit të Tetovës.

Nga UT-ja thonë se në kërkesë thuhet: “Duke marrë parasysh rëndësinë kombëtare të Ditës së Alfabetit Shqip, kur në një periudhë të vështirë historike, në qytetin e Manastirit, në vitin 1908 u tubuan atdhetarët më eminentë të çështjes kombëtare nga të gjitha trojet etnike; faktin e pamohueshëm se Kongresi i Manastirit është monumenti më i madh kombëtar për të gjithë shqiptarët kudo që ata ndodhen, kongres në të cilin u vunë bazat e shkrimit shqip; se ndryshoi qasja dhe perceptimi për rëndësinë e çështjes kombëtare; rolin e tij në ruajtjen e identitetit shqiptar, pikërisht falë shkrimit të njësuar shqip; Senati i Universitetit të Tetovës ka miratuar njëzëri Propozimin që, 22 Nëntori – Dita e Alfabetit Shqip të shpallet festë shtetërore edhe në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës”.

Më tej, në kërkesën e lartpërmendur, drejtuar institucioneve dhe autoriteteve të Shqipërisë dhe të Kosovës, theksohet se “me këtë akt (shpalljen e Ditës së Alfabetit shqip – festë shtetërore) qeveritë Tuaja do të dëshmonin për një sensibilizim të gjithëmbarshëm kombëtar dhe do ta nderonin veprën e çmuar dhe kolosale të të parëve tanë, të cilët nuk e kursyen kontributin e tyre, me të vetmin qëllim që, gjeneratë pas gjenerate populli ynë t’i gëzohet një unifikimi gjuhësor dhe shkronjat shqipe të jenë të mirëvendosura në themelet tona kombëtare”.

MARKETING