(VIDEO) Alarme për bomba në 32 shkolla, VMRO akuzon pushtetin për paaftësi

(VIDEO) Alarme për bomba në 32 shkolla, VMRO akuzon pushtetin për paaftësi

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar  mëngjesin e sotëm se në adresat elektronike të 31 shkollave në Shkup është dërguar njoftim për mjet shpërthyes. Menjëherë pas marrjes së denoncimeve janë marrë masat për evakuimin e sigurt të shkollave dhe janë kryer kontrollet antiterrore si dhe është vërtetuar që bëhet fjalë për alarme të rreme. Alarmet e rreme kanë tronditur shkollat ​​për disa ditë me radhë dhe prindërit janë të indinjuar teksa çdo mëngjes vrapojnë nga puna për të marrë fëmijët e tyre.

Prindërit të revolutuar fajësojnë udhëheqësinë e vendit të cilët për kaq kohë të gjatë nuk kanë arritur të gjejnë një zgjidhje.

QYTETAR

 “Për çdo ditë kemi raportime, kjo është një tmerr, tmerr i shtetit, shteti të mos mundet gjatë 6 maujve  të angazhojë një njeri, duhet të ketë njerëz, nuk e di Oliver Spasovski ka ngelë vetëm ulur në karrike për popull nuk bën. Turp për shtetin është kjo për çdo ditë fëmijët janë bërë me trauma. Mjaft korona, tash për shkak të bombave fëmijët sërisht duhet të kyçen online. Kjo është një tmerr”.

Zëdhënësja e VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me raportimet ditore për bomba nëpër shkolla, ka deklaruar se  MPB, Agjencia e Sigurisë Kombëtare dhe të gjitha shërbimet tjera që janë përgjegjëse për sigurinë në vend dhe qytetarët nuk mund të vendosin rendin, është e nevojshme të merren shpejt masat që synojnë normalizimin e punës së shkollave.

MARIJA MITEVA, ZËDHËNËSE E VMRO-DPMNE-SË

“Prej muajsh qeveria, Ministria e Punëve të Brendshme, Agjencia e Sigurisë Kombëtare dhe të gjitha shërbimet e tjera që janë në ngarkim të sigurisë në vend dhe qytetarët nuk kanë mundur të vendosin rendin dhe sigurinë në shkolla dhe objekte publike që janë në shënjestër të kërcënime të rreme me bombë. Qytetarët nuk mund ta paguajnë çmimin e kësaj paaftësie të Kovaçevskit dhe Spasovskit. Në asnjë vend tjetër evropian studentët nuk humbasin ditë të tëra, sepse institucionet e tyre nuk mund të gjejnë detektorë bombash false”.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka obliguar shkollat e arsimit fillor dhe të mesëm në vend, që në ditët pas marrjes së njoftimit për bombë, mësimi të vazhdojë online, në vend që të humbasin ditë të tëra pune.  Nga ana tjetër  shumë prindër, nxënës dhe mësues po ankohen se nuk mund të kyçen në aplikacionin Teams dhe se vazhdimisht ka problematika të tilla.

Përveq Shkupit edhe disa shkolla në Beograd kanë marrë alarme për bomba në adresat e emailave të tyre .

Ndryshe raportimet e para për një mjet shpërthyes të vendosur në pesë shkolla të mesme në Shkup u regjistruan  më 26 tetor të vitit të kaluar.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING