12 të lënduarit në aksidentin në Veles janë jashtë rrezikut për jetë
Dymbëdhjetë të lënduarit në aksidentin që ndodhi sot pasdite te fabrika “Porcelanka” në Veles, gjatë të cilit një mjet motorik i NP “HRMV Infrastruktura” goditi një furgon me udhëtarë, janë dërguar në spitalin e Velesit dhe janë jashtë rrezikut për jetë, informoi mjekja Elena Levkova Qulumova, zëdhënëse e ISHP Spitali i Përgjithshëm – Veles.
“Të gjithë janë mbajtur në kontroll dhe observim. Deri më tani janë incizuar gjysma e udhëtarëve dhe fraktura te ata nuk janë konstatuar. Por, ende po bëhen kontrolle te gjysma tjetër e të lënduarve. Informacionin e plotë do ta kem pas orës 16”, deklaroi mjekja Levkova Qulumova.
Ajo informoi se në mesin e të lënduarve ka dy fëmijë të moshës prej tre dhe pesë vjet dhe një vajzë 19-vjeçare. Personat e tjerë të lënduar janë të moshës prej 30 deri 60 vjet.
Informacionin se të gjithë të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë dhe se te ata po bëhet rentgen dhe kontrolle të tjera e konfirmoi edhe mjeku Lupço Leov, ortoped, i cili i ka kontrolluar të lënduarit. Ai konfirmoi se deri më tani nuk janë konstatuar fraktura te asnjëri nga të lënduarit, por ata megjithatë janë lënë në mbikëqyrje, ndërsa kolegu i tij mjeku Vanço Gramatov po i kontrollon të lënduarit e tjerë.
Sot në orën 12.01 në SPB Veles ishte denoncuar se në vendkalimin hekurudhor te fabrika “Porcelanka” në Veles ka pasur aksident trafiku mes një mjeti hekurudhor dhe një furgoni “mercedes” me targa të Velesit, pronë e një kompanie taksie nga Çashka, ndërsa i drejtuar nga 52-vjeçari D.J. nga Çashka.