Putin bën thirrje për zgjerimin e përfaqësimit të Jugut Global në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Putin bën thirrje për zgjerimin e përfaqësimit të Jugut Global në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë thirrje për zgjerimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të rritur përfaqësimin e vendeve nga Azia, Afrika dhe Amerika Latine, transmeton Anadolu.

Duke iu drejtuar Samitit të 18-të të BRICS-it në kryeqytetin indian New Delhi, Putin tha se Rusia i kushton rëndësi të madhe ruajtjes dhe forcimit të rolit qendror të OKB-së në çështjet globale dhe beson se anëtarët e BRICS-it duhet të vazhdojnë të punojnë së bashku për të përmirësuar efektivitetin e organizatës.

“Natyrisht, zgjerimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, konkretisht duke rritur përfaqësimin e vendeve të Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine, do të kontribuonte në këtë qëllim”, tha Putin, sipas transkriptit të Kremlinit.

Putin tha gjithashtu se ekziston një “nevojë e kahershme” për përmirësimin e institucioneve ekonomike globale, si Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), Banka Botërore dhe Organizata Botërore e Tregtisë (OBT), të cilat, sipas tij, po hasin vështirësi për t’iu përshtatur “realiteteve politike dhe ekonomike” aktuale.

Ai tha se FMN-ja, OBT-ja dhe Banka Botërore mbeten kanale të rëndësishme për dialogun mes ekonomive kryesore të botës dhe bëri thirrje për koordinim më të fuqishëm mes vendeve të BRICS-it brenda këtyre institucioneve.

Duke folur për BRICS-in, Putin tha se anëtarët e tij posedojnë kapacitete të konsiderueshme intelektuale dhe teknologjike, duke i përshkruar ato si një avantazh të madh për grupin.

Ai tha se BRICS-i “me të drejtë është pozicionuar mes qendrave kryesore të qeverisjes globale”, duke argumentuar se zhvillimet në politikën ndërkombëtare, siguri, bashkëpunim ekonomik dhe çështje humanitare varen gjithnjë e më shumë nga vendimet kolektive të anëtarëve të tij.

Putin tha se, në kushtet e krijimit të një rendi botëror shumëpolar, vendet e BRICS-it duhet të punojnë së bashku për të forcuar multilateralizmin, për të përfshirë më shumë vende në qeverisjen globale dhe për të rritur pjesëmarrjen e tyre në institucionet kryesore ndërkombëtare.

“Megjithatë, formimi i një bote shumëpolare nuk po zhvillohet pa vështirësi, të gjithë mund ta shohim këtë. Ai has në rezistencën e atyre që janë mësuar të mendojnë në terma thelbësisht kolonialë, duke e ndarë botën në një ‘kopsht të lulëzuar’ dhe një ‘xhungël të egër’ dhe duke jetuar në kurriz të të tjerëve”, tha ai.

“Ata nuk janë të gatshëm ta pranojnë realitetin në ndryshim dhe përpiqen me të gjitha mjetet t’i frenojnë konkurrentët e tyre në ngritje”, shtoi Putin, duke theksuar se këto mjete përfshijnë luftërat tarifore, sanksionet dhe “forcën brutale”.

MARKETING