Zv/presidenti turk Yilmaz: Konfliktet e nxitura nga Izraeli po ushtrojnë presion mbi çmimet globale të energjisë

Zv/presidenti turk Yilmaz: Konfliktet e nxitura nga Izraeli po ushtrojnë presion mbi çmimet globale të energjisë

Luftërat e nisura nga provokimet e Izraelit po ushtrojnë presion të madh mbi çmimet globale të energjisë dhe ekonomitë kombëtare, deklaroi sot zëvendëspresidenti i Turqisë, Cevdet Yilmaz, raporton Anadolu.

MARKETING

Shik.mk

“Si rezultat i luftërave që nisën me provokimet e Izraelit, po shohim presionin që çmimet botërore të energjisë ushtrojnë mbi ekonomitë tona”, tha Yilmaz në hapje të Takimit të 42-të Ministror të Komitetit të Përhershëm për Bashkëpunim Ekonomik dhe Tregtar të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (KOMSEK), në Stamboll.

Ai theksoi se kjo situatë dëshmon rëndësinë e diversifikimit të burimeve dhe rrugëve energjetike si dhe të forcimit të bashkëpunimit rajonal për garantimin e sigurisë energjetike. Yilmaz tha se pushtimi, dhuna e kolonëve, zhvendosja e detyruar dhe shtypja sistematike që palestinezët përjetojnë prej vitesh, veçanërisht në Gaza, kanë shkaktuar plagë të thella në ndërgjegjen e njerëzimit.

Yilmaz shprehu pikëllim për vazhdimin e humbjeve të jetëve në Gaza, pavarësisht armëpushimit të arritur përmes përpjekjeve diplomatike të udhëhequra nga presidenti Recep Tayyip Erdogan dhe nismave të përbashkëta të vendeve të rajonit.

“Pushtimi dhe sulmet e vazhdueshme të Izraelit në Palestinë kërcënojnë sigurinë e popullit palestinez dhe stabilitetin rajonal”, deklaroi ai.

Yilmaz tha se ndalimi i gjenocidit në territoret e pushtuara palestineze, ndërmarrja e hapave konkretë për rindërtimin e Gazës dhe vazhdimi i përpjekjeve ndërkombëtare, pavarësisht ndryshimeve politike në Izrael, janë përgjegjësi e përbashkët.

Zv/presidenti turk bëri të ditur se KOMSEK-u po zbaton Programin e Kudsit për palestinezët, përmes 10 projekteve të reja të nisura këtë vit dhe 28 projekteve të përfunduara.

Duke folur për Sirinë, Yilmaz shprehu kënaqësinë për hapat që synojnë garantimin e unitetit dhe integritetit territorial të vendit, duke theksuar se Turqia mbështet një të ardhme paqeje dhe mirëqenieje për popullin sirian. Ai tha se projektet në kuadër të Programit të KOMSEK-ut për Sirinë përfshijnë standardet hallall, tregtinë dhe aftësimin profesional.

Lidhur me tensionet rajonale, ai paralajmëroi se sulmet ndaj Iranit dhe tensionet në Ngushticën e Hormuzit kërcënojnë stabilitetin rajonal dhe mirëqenien globale. “Çelësi i zgjidhjes është i qartë: diplomacia dhe dialogu nuk duhet të braktisen kurrë”, tha Yilmaz duke shprehur mbështetje për përpjekjet e ndërmjetësimit dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve.

Ai dënoi sulmet e rebelëve Huthi ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile në Jemen, duke konfirmuar mbështetjen e Turqisë për Arabinë Saudite dhe përpjekjet ndërkombëtare për garantimin e lundrimit të lirë në Detin e Kuq dhe Ngushticën e Bab al-Mandabit.

Yilmaz shprehu mbështetje për procesin e paqes mes Azerbajxhanit dhe Armenisë si dhe përpjekjet për stabilitetin në Kaukaz. Ai njoftoi se marrëdhëniet Turqi-Afrikë do të forcohen më tej në Samitin e Katërt të Partneritetit Turqi-Afrikë, që do të mbahet në Libi më 8 dhe 9 dhjetor 2026.

Duke folur për Sudanin, ai shprehu shqetësim për krizën humanitare që po vazhdon prej tre vjetësh e gjysmë dhe u zotua për vazhdimin e ndihmës humanitare dhe mbështetjes për paqen e integritetin territorial të vendit.

Ai riafirmoi mbështetjen e Turqisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Somalisë, duke kundërshtuar vendimin e Izraelit për njohjen e Somalilandit. Për Libinë, theksoi rëndësinë e dialogut të udhëhequr nga vetë libianët ndërsa bëri thirrje për bashkëpunim më të madh kundër terrorizmit në vendet e Sahelit.

Duke e cilësuar familjen si element themelor të zhvillimit të qëndrueshëm, Yilmaz tha se ajo duhet të mbrohet dhe të forcohet. Ai vuri në dukje se më shumë se 260 milionë njerëz në botë përballen me uri të rëndë, për shkak të faktorëve si ndryshimet klimatike, tensionet gjeopolitike dhe konfliktet.

Yilmaz njoftoi se Mehdi Eker, ish-ministri i Bujqësisë i Turqisë me mandatin më të gjatë në këtë detyrë, është nominuar për postin e drejtorit të përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO). Ai u bëri thirrje vendeve anëtare të OBI-t ta mbështesin si kandidat të përbashkët.

Sa i përket ekonomisë globale, Yilmaz tha se krizat e njëpasnjëshme kanë nxitur proteksionizmin dhe se rritja ekonomike dhe tregtia botërore pritet të mbeten rreth 3 për qind në vitin 2026, nën mesataret historike.

Ai theksoi se vendet islame duhet të forcojnë tregtinë mes tyre, të lehtësojnë procedurat doganore dhe të mbështesin tregtinë digjitale, shërbimet dhe investimet. Gjithashtu, bëri thirrje për përmirësimin e qasjes në financim për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme si dhe për njohjen e ndërsjellë të certifikimit hallall.

Yilmaz tha se Turqia ka mbështetur financiarisht 31 projekte të KOMSEK-ut, duke e çuar në 209 numrin e përgjithshëm të projekteve të mbështetura që nga viti 2013. Duke folur për klimën, ai theksoi nevojën që zotimet të shndërrohen në masa konkrete dhe shtoi se Turqia pret pjesëmarrje të nivelit të lartë nga vendet e OBI-t në Samitin e Liderëve të COP31, që do të mbahet në Antalya më 11 dhe 12 nëntor.

Para takimit, zv/presidenti turk vizitoi ekspozitën e projekteve të KOMSEK-ut së bashku me përfaqësues të qeverisë turke dhe sekretarin e përgjithshëm të OBI-t. Gjatë vizitës, ai pranoi një vepër artistike prej qeramike të punuar nga tre fëmijë palestinezë që kanë humbur të afërmit e tyre në Gaza.

MARKETING