Kasami uron Arkin Jahijin për detyrën e re: Të punojë për të gjithë qytetarët pa dallim
Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, ka uruar Arkin Jahijin për marrjen e detyrës së kryetarit të ri të Komunës së Bërvenicës, duke i bërë thirrje që t’u qëndrojë besnik premtimeve parazgjedhore dhe të punojë në interes të të gjithë qytetarëve.
Kasami ka theksuar se qytetarët duhet të respektohen pavarësisht bindjeve dhe motiveve me të cilat kanë marrë vendimin e tyre, ndërsa ka siguruar se Qeveria do të jetë pranë banorëve të Bërvenicës.
“Kryetarit të ri të Komunës së Bërvenicës, Arkin Jahijit, i uroj mandat të suksesshëm dhe të mbarë. Ai duhet t’u qëndrojë besnik premtimeve parazgjedhore dhe të punojë për të gjithë qytetarët, pa dallim përkatësie partiake, feje apo etnie.
Qytetari ka gjithmonë të drejtë, pavarësisht motiveve me të cilat gjykon. Kjo duhet respektuar.
Si koalicion qeverisës, jemi pranë qytetarëve të Bërvenicës për të gjitha nevojat në kompetencë të Qeverisë.
Vazhdojmë me punë për të gjithë qytetarët pa dallim!”, ka shkruar Kasami.

