Zv/kryeministri Fetai për fyerjet ndaj shqiptarëve në ndeshjen Vardar-Bashkimi: Sjellje të parpanueshme!
Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai, duke komentuar ngjarjet e djeshme në ndeshjen Vardar-Bashkimi, ku shqiptarët u fyen gjatë tërë ndeshjes, ka deklaruar se, koret fyese dhe gjuha e urrejtjes janë absolutisht të papranueshme
“Ngjarjet në ndeshjen Vardar – Bashkimi dëshmuan edhe një herë se sporti në vendin tonë vazhdon të përballet me sjellje që nuk kanë asgjë të përbashkët me frymën e sportit, fair play-in dhe respektin e ndërsjellë.
Koret fyese dhe gjuha e urrejtjes janë absolutisht të papranueshme. Dënoj ashpër shfaqjet e tilla dhe refuzoj çdo përpjekje për t’i minimizuar apo justifikuar ato.
Presim nga Federata e Futbollit dhe organet kompetente të reagojnë me profesionalizëm dhe vendosmëri, deri te sanksionet e nevojshme ndaj përgjegjësve individualë dhe klubit të tyre, që situata të tilla të mos përsëriten më kurrë.
Njëkohësisht, shpreh respektin tim për futbollistët dhe stafin e Bashkimit për profesionalizmin, qetësinë dhe maturinë e treguar. Kjo qasje meriton admirim dhe është shembull se si duhet të sillet sporti ynë”, ka shkruar Fetai.

