Zv/kryeministri Fetai ironizon për vendimin për Memetin: Mungon vetëm edhe vërejtja me shkrim!
Ndaj vendimit të fundit të Prokurorisë, ku bëhet e ditur se Ixhet Memeti do të dënohet me dënim me kusht prej një viti, ka reaguar zëvendëskryeministri për politika të mira dhe sundim të mirë, Arben Fetai.
“Prokurori i BDI-së, Islam Abazi, paska kërkuar dënim me kusht prej 1 viti kundër prokurorit tjetër të BDI-së, Ixhet Memeti, i kapur duke marrë mito prej 10.000 eurosh për të ndikuar në uljen e dënimit të një politikani të akuzuar për trafikim me lëndë narkotike.
Poashtu qenka kërkuar që kundër Memetit të ketë ndalesë të përkohshme për ushtrimin e profesionit, me siguri që të mos ketë mundësi të marrë mito për një kohë. Mungon vetëm edhe vërejtja me shkrim, shoqëruar me urdhër për vetëkritikë.
Prandaj edhe jemi në këtë gjendje ku vetëm 2% e qytetarëve kanë besim në sistemin e drejtësisë. Prokurorisë dhe gjyqësorit i duhet reformë rrënjësore, veting dhe një fillim i ri, ku nuk do të ketë më vend për prokurorë të këtij lloji, të korruptuar e nën urdhërat e politikës dhe narko karetelëve”, shkruan Fetai.