“Zëvendëskryeministri, MPJ dhe tri ministri të tjera”, Kurti: Abdixhiku refozoi ofertat tona për bashkëqeverisje

“Zëvendëskryeministri, MPJ dhe tri ministri të tjera”, Kurti: Abdixhiku refozoi ofertat tona për bashkëqeverisje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës kanë përfunduar pa sukses, pas takimit të fundit me kryetarin e saj, Lumir Abdixhiku.

Kurti deklaroi se gjatë bisedimeve ka pasur oferta konkrete nga ana e tij, por që ato nuk janë pranuar nga LDK.
Sipas tij, një nga propozimet kryesore ka qenë pozita e zëvendëskryeministrit, Ministrinë e Punëve të Jashtme si dhe tri ministri të tjera.

Ai shtoi se kishte shprehur gatishmëri që vetë Abdixhiku të merrte postin e zëvendëskryeministrit, si një mënyrë për të hapur një kapitull të ri bashkëpunimi mes LDK-së dhe Lëvizja Vetëvendosje.

“E përfunduam takimin e radhës me Abdixhikun, të cilin e falënderova për bashkëpunimin, por më duhet të them se bisedimet rezultuan të pasuksesshme. Asnjëra nga ofertat tona nuk u pranua”, u shpreh Kurti, përcjell Telegrafi.

Kryeministri gjithashtu bëri të ditur se kishte tentuar një marrëveshje të tillë që më herët, duke i dërguar një letër Abdixhikut një vit më parë për të formuar një koalicion, por që kjo nuk ishte realizuar.
Ai paralajmëroi se vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja, të cilat i cilësoi si të panevojshme dhe me kosto të lartë.

Sipas tij, zgjedhjet mund t’i kushtojnë buxhetit të Kosovës rreth 10 milionë euro dhe nuk pritet të sjellin ndryshime të mëdha në rezultat, duke lënë të hapur mundësinë e një ngërçi institucional për shkak të mungesës së kuorumit në Kuvend.

Kurti po ashtu tha se pas refuzimit fillestar nga LDK, kishte paraqitur edhe një propozim alternativ për ndarjen e pushtetit.

“Kur u refuzua oferta jonë për bashkëqeverisje, pra që LDK ta ketë zëvendëskryeministrin dhe katër ministri, nën shpjegimin që LVV nuk duhet t’i ketë tri pozita të larta shtetërore, atëherë ne bëmë një ofertë tjetër. Propozuam që pozita e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarit të pësojë një rokadë, që nënkryetari i LDK-së të bëhet kryetar, ndërsa Albulena Haxhiu të marrë postin e nënkryetares. Në këtë mënyrë, ne do ta mbanim qeverinë, ndërsa LDK do të kishte drejtimin e Kuvendit”, u shpreh ai. /Telegrafi/

MARKETING