Zëvendëskryeministri Fetai u takua me homologun malazez, Koprivica

Zëvendëskryeministri Fetai u takua me homologun malazez, Koprivica

Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, sot në Shkup ka pritur në takim homologun e tij malazez, Momo Koprivica.

Nga kabineti i zëvendëskryeministrit Fetai njoftuan se diskutimi u përqëndrua në reformat në kuadër të kapitujve 23 dhe 24 të negociatave për anëtarësim në BE, të cilët lidhen me sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe çështjet e brendshme.

Fetai nënvizoi angazhimin e tij personal për këtë proces dhe informoi se kabineti i tij po bashkëpunon me UNOPS për përgatitjen e një metodologjie ndjekjen e zbatimit të masave antikorrupsion, e cila do të ndihmojë në vlerësimin e progresit në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit.

Ai gjithashtu njoftoi se po punohet për organizimin e një konference rajonale për luftën kundër korrupsionit, e cila do të shërbejë si platformë për shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e mekanizmave antikorrupsion sipas standardeve evropiane.

Zëvendëskryeministri malazez, Momo Koprivica, theksoi rëndësinë e forcimit të mekanizmave kundër korrupsionit, veçanërisht në dogana, përmes metodave të reja dhe bashkëpunimit ndërkufitar. Ai vlerësoi Maqedoninë e Veriut si partnere kyçe në rrugën drejt integrimit evropian dhe si një aleate e rëndësishme në NATO.

Gjithashtu, ai inkurajoi përshpejtimin e reformave kushtetuese dhe hapjen e negociatave me BE-në, duke ofruar mbështetjen dhe përvojën e Malit të Zi në këtë proces.

“Të dyja palët u pajtuan për të vazhduar bashkëpunimin duke intensifikuar përpjekjet në mbështetje të reformave që forcojnë sundimin e ligjit dhe përshpejtojnë integrimin evropian të rajonit”, thuhet në kumtesë

MARKETING