Zelenskyy: SHBA-ja “shumë shpesh” nën ndikimin e narrativës së Rusisë mbi Ukrainën

Zelenskyy: SHBA-ja “shumë shpesh” nën ndikimin e narrativës së Rusisë mbi Ukrainën

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy ka pretenduar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) “shumë shpesh” janë nën ndikimin e narrativës së Rusisë në luftën vendit të tij, e cila po vazhdon për më shumë se tre vjet, raporton Anadolu.

“Nuk mund të jem mosmirënjohës për atë se çfarë bënë ata për ne, por ata sot – shumë shpesh, besoj unë, fatkeqësisht, janë nën ndikimin e narrativës së Rusisë dhe ne nuk mund të pajtohemi me këtë narrativë”, tha Zelenskyy në një intervistë në kryeqytetin francez Paris me një panel gazetarësh evropianë të mërkurën vonë.

Duke thënë se SHBA-ja dhe qytetarët e saj e kanë përkrahur Ukrainën gjithmonë nga fillimi i konfliktit në shkurt të vitit 2022, Zelenskyy tha se ka pasur mbështetje dypartiake nga SHBA-ja dhe se ndihmat e SHBA-së po shkonin në vendin e shkatërruar nga lufta.

Ukraina do t’i luftojë narrativat e Rusisë “kudo që ato janë”, nënvizoi ai, duke thënë se “ne nuk kemi zgjidhje tjetër. Ne jemi duke luftuar për pavarësi dhe ekzistencë. Ne vetëm mund ta hapim edhe më shumë të vërtetën të cilën duhet ta tregojmë me shembujt tanë, derisa luftojmë në fushbetejë”.

I pyetur në lidhje me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së, Steve Witkoff dhe nëse ai beson se Shtëpia e Bardhë ka “përdorur propagandën e Kremlinit”, Zelenskyy tha se Witkoff e citon shpesh Kremlinin dhe sipas tij kjo nuk do t’i afrojë ata me paqen.

“Dhe unë besoj që, fatkeqësisht, kjo do ta dobësojë presionin e SHBA-së ndaj Rusisë. Ne mund vetëm ta korrigjojmë këtë fushë informative me veprimet tona. Ne po përpiqemi ta bëjmë këtë”, tha Zelenskyy.

Ai gjithashtu theksoi nevojën për një pozicion të qartë dhe vendimtar nga SHBA-ja në mbështetje të Ukrainës, duke thënë se Kievi dëshiron që Amerika të jetë në anën e tyre.

“Edhe nëse Amerika sot ka zgjedhur të jetë në mes, në mes do të thotë në mes, jo më afër Kremlinit, dhe kjo është e rëndësishme”, shtoi presidenti ukrainas.

MARKETING