Zelanda e Re bën thirrje për rikthim të menjëhershëm të armëpushimit në Gaza

Zelanda e Re bën thirrje për rikthim të menjëhershëm të armëpushimit në Gaza

Zelanda e Re kërkoi të enjten një rikthim të menjëhershëm të armëpushimit pas një ofensive të re ushtarake izraelite në Rripin e Gazës.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Winston Peters foli me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm palestinez, Mohammad Mustafa, për situatën e fundit në Gaza.

“Ata diskutuan rëndësinë e rifillimit të menjëhershëm të armëpushimit në Gaza, të lirimit pa vonesë të të gjithë pengjeve dhe të respektimit nga të gjitha palët të detyrimeve të tyre ligjore ndërkombëtare”, thuhet në një deklaratë të postuar në llogarinë zyrtare të Peters në X.

Të dyja palët diskutuan gjithashtu planin e rindërtimit të Gazës të propozuar nga Samiti Arab.

Ushtria izraelite nisi një fushatë ajrore të befasishme në Rripin e Gazës më 18 mars, duke vrarë gati 800 persona dhe duke plagosur mbi 1.600 të tjerë, pavarësisht një marrëveshjeje për armëpushim dhe shkëmbim të të burgosurve midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas që hyri në fuqi në janar.

Mbi 50.100 palestinezë janë vrarë, shumica gra dhe fëmijë, dhe mbi 113.700 të tjerë janë plagosur nga ofensiva brutale ushtarake izraelite në Gaza që nga tetori i vitit 2023.

MARKETING