Xi Jiping planifikon një vizitë në Rusi ndoshta që javën e ardhshme
Presidenti kinez Xi Jinping po planifikon të udhëtojë në Rusi për t’u takuar me homologun e tij, Vladimir Putin, javën e ardhshme, thanë njerëz të njohur me këtë çështje, një vizitë që do të ishte më e shpejtë nga sa pritej më parë.
Ministria e Jashtme e Kinës nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment mbi mundësinë që zoti Xi të shkojë në Moskë dhe Kremlini refuzoi të komentojë.
Hollësi të mëtejshme nuk ishin menjëherë të disponueshme.
Burimet e informuara për këtë çështje nuk pranuan të identifikoheshin duke pasur parasysh ndjeshmërinë e çështjes.
Muajin e kaluar, zotin Putini priti kryediplomatin kinez Wang Yi në një vizitë në Moskë dhe sinjalizoi se zoti Xi do të udhëtonte për në Rusi.
Kina dhe Rusia arritën një partneritet “pa kufij” në shkurt të vitit 2022, kur zoti Putin vizitoi Pekinin për hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore, javë përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën dhe të dy palët kanë vazhduar të riafirmojnë fuqinë e lidhjeve të tyre.
Zoti Xi është takuar personalisht me zotin Putin 39 herë që kur u bë president, më së fundi në shtator gjatë një samiti në Azinë Qendrore.
Të hënën, zoti Xi përfundoi seancën vjetore të parlamentit të Kinës, Kongresit Popullor Kombëtar, gjatë së cilës ai u konfirmua unanimisht në një mandat të tretë si president.