Xhelal Sveçla dënohet me 1 vit burgim me kusht për gazin lotsjellës në Kuvendin e Kosovës

Xhelal Sveçla dënohet me 1 vit burgim me kusht për gazin lotsjellës në Kuvendin e Kosovës

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës duke e dënuar me 1 vit burgim me kusht nëse nuk e përsëritë të njëjtën vepër Ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla, raporton Anadolu.

Vendimin për dënimin e tij e mori gjykatësi i rastit, Sabit Sadikaj, i cili njoftoi se Sveçla nuk do të vuajë dënim me burgim nëse brenda vitit nuk kryen një tjetër vepër penale.

Sveçla u shpall fajtor për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Ministri në detyrë nuk ishte i pranishëm në momentin kur gjykata shqiptoi dënimin.

Prokurori i rastit propozoi para vendimit që Sveçla të dënohet me dy vite burgim efektiv dhe gjobë prej 3 mijë eurove.

Mbrojtja e Sveçlës deklaroi se nuk e sheh të arsyeshme të paraqesë propozime duke marrë për bazë faktin se i pandehuri nuk e ka pranuar fajësinë.

Sveçla ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat e hedhjes së gazit lotsjellës duke e quajtur veprimin e tij aktivitet politik, përmes të cilit deputetët opozitarë në atë kohë kundërshtonin ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Për veprën e përdorimit të armëve apo materialeve plasëse në kundërshtim me ligjin, Kodi Penal i Republikës së Kosovës parasheh dënim me burgim prej një deri në tetë vjet.

MARKETING