Xhandarmëria serbe në Merdarë, shkel marrëveshjen për IBM
Policia e Kosovës ka njoftuar për shkeljen e Marrëveshjes për menaxhim e integruar të kufirit nga pala serbe në pikën kufitare në Merdarë sot.
“Më datë 14.10.2024, rreth orës 18:20, tek pala serbe në stacionin policor kufitar në Merdar është vërejtur një veturë e tipit Land-Rover me targa të Serbisë që dyshohej të jetë e xhandarmërisë serbe! Sipas informacioneve nga kompetentët aty shiheshin 4 (katër) pjesëtarë të xhandarmërisë serbe të cilët kanë qëndruar rreth 10 (dhjetë) minuta tek hyrja e objektit te pala serbe”, njofton policia.
Tutje policia ka thënë se largimi i tyre, duke shkelur vijën ndarëse kufitare ka për qëllim provokimin apo krijimin e ndonjë incidenti ndërshtetëror.
“Policia e Kosovës kërkon nga autoritetet relevante ndërkombëtare që të ndërmarrin veprime të nevojshme për ruajtjen e stabilitetit dhe respektimin reciprok të marrëveshjeve qe ndërlidhen me menaxhimin e integruar kufitar dhe me sigurinë në përgjithësi”, vazhdon njoftimi.