Xavi konfirmohet te Barça, Mourinho është vetëm një spekulim…për momentin

Xavi konfirmohet te Barça, Mourinho është vetëm një spekulim…për momentin

Humbja e rëndë në finale të Superkupës së Spanjës përballë Real Madridit tronditi jo pak pozicionin e Xavi Hernandez në stolin e Barcelonës.

Por në prag të Kupës së Mbretit është vetë tekniku katalanas që qetëson ambientin, duke deklaruar se ende ka besimin e presidentit Laporta, pasi ekipi që drejton është në luftë për tre trofetë sezonalë, pavarësisht vështirësive.

“Kam pasur kontakt me presidentin kur po ktheheshim nga Arabia Saudite. Ai është personi më optimist, më inkurajon edhe mua. Na transmeton besim, duke e ditur se kanë mbetur tre titujt më të rëndësishëm në lojë. Ditën që lojtarët nuk janë me mua, do të largohem vetë. Ne kemi besuar gjithmonë te njëri-tjetri. I kemi bërë gjërat shumë keq në finalen e Superkupës, nevojitet kthesë e shpejtë” – deklaroi Xavi.

Por nëse trajneri i Barçës është optimist për të ardhmen, mediat spanjolle sjellin një skenar tjetër, që shkruajnë se Jorge Mendez, agjenti i trajnerit portugez Jose Mourinho, ka nisur bisedimet me presidentin e Barcelona. Nëse Mourinho do të bënte këtë lëvizje, do të ishte një tronditje për tifozët, duke pasur parasysh kohën e tij si trajner i rivalëve të Real Madridit, ku fitoi një La Liga dhe një Kupë të Mbretit.

Për momentin, këto zëra janë thjesht spekulime edhe për faktin se Laporta konfirmoi Xavi-n në stol. Megjithatë, nëse Barcelona bën ndonjë hap fals, nuk do të ishte çudi që gjërat të ndryshonin menjëherë.

MARKETING