West: ZPS-ja nuk ka ndjekur penalisht UÇK-në apo luftën për pavarësinë e Kosovës

West: ZPS-ja nuk ka ndjekur penalisht UÇK-në apo luftën për pavarësinë e Kosovës

Prokurorja e Specializuar, Kimberly West, e ka mirëpritur aktgjykimin e sotëm në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke e cilësuar atë si të rëndësishëm për sundimin e ligjit në Kosovë dhe drejtësinë për viktimat.

Në reagimin e saj pas shpalljes së aktgjykimit, West ka theksuar se vendimi është bazuar në fakte dhe ligj, ndërsa ka deklaruar se individët janë mbajtur përgjegjës për veprimet e tyre dhe jo UÇK-ja apo lufta për pavarësinë e Kosovës.

“Vendimi i sotëm, që bazohet vetëm në fakte dhe ligj, është i rëndësishëm për vënien para përgjegjësisë dhe sundimin e ligjit në Kosovë. Gjykata ka konfirmuar se asnjë individ, pavarësisht rangut apo autoritetit politik, nuk është mbi ligjin dhe nuk ka imunitet nga përgjegjësia për krime të rënda ndërkombëtare. ZPS-ja bën përgjegjës individë për veprimet e tyre, në përputhje me mandatin e saj, asgjë më shumë. ZPS-ja nuk ka ndjekur penalisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, as luftën e bërë për pavarësinë e Kosovës”, thuhet në reagimin e saj.

West ka deklaruar gjithashtu se vendimi përbën, sipas saj, një hap të rëndësishëm në procesin e vënies para përgjegjësisë të individëve për krime të rënda ndërkombëtare.
Në vijim, Prokuroria e Specializuar pritet ta shqyrtojë në detaje aktgjykimin e plotë të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
West ka bërë të ditur se ZPS-ja do ta analizojë të gjithë aktgjykimin gjatë ditëve të ardhshme, përfshirë edhe gjashtë pikat e aktakuzës për krime kundër njerëzimit, për të cilat nuk pati dënime.

MARKETING