Vuçiqi – Borrellit: Në Bruksel vij të flas vetëm pas Asociacionit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka komentuar deklaratat e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell, që ka thënë se së shpejti do të ftojë një takim të nivelit të lartë në BE në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.

Vuçiq ka thënë se në Bruksel do të vijë vetëm pasi të njoftohet se është dorëzuar propozimi për themelimin e Asociacionit.

“E pash deklaratën e tij, mund të shtyjnë ata çfarë të duan, por duhet të thonë se cili është i kuptimi i kësaj, nuk kam shmangur diskutimet në asnjë moment dhe për asgjë, për asnjë çështje – por para kësaj duhet Asociacioni. Nëse mendoni se më thërrisni në Bruksel dhe më bindni të them se Asociacioni do të bëhet, në të njëjtën kohë me nuk e di çfarë apo pas nuk e di çfarë – atëherë mos më thërrisni. Më thërrisni të vij si turist dhe nuk më intereson se kam qenë në Bruksel 200 herë. Nëse më thërrisni, më njoftoni se kanë dorëzuar Asociacionin, kur ta dorëzojnë, atëherë vij e flas për çdo gjë tjetër”, ka thënë Vuçiq, transmeton televizioni serb RTS.

Vuçiqi ka thënë se mund të vijë edhe si turist, që Serbia të mos fajësohet për ndonjë gjë.

“Por, mos prisni ndryshimin e qasjes për të cilën tashmë është rënë dakord”, tha Vuçiq.

I pyetur edhe për faktin se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar se janë 11 kryetarë të komunave qendrore në Serbi që nuk janë të kombësisë serbe dhe se Serbia nuk u jep atyre një Asociacion, Vuçiqi ka thënë se “është marrëzi dhe paftyrësi”.
“Kurti dëshiron të identifikoj statusin shtetëror-juridik të Serbisë dhe të asaj që ai e quan Republikë të Kosovës, por ne jemi duke biseduar pikërisht pasi nuk është e njëjta gjë. Ai nuk ka çfarë të diskutojë për Serbinë qendrore, ne kemi një temë që po diskutojmë dhe kjo është e vetmja temë në tavolinë. Por, kur dikush mendon se ka të drejtë të bëhet arrogant, sepse ka shefat e mëdhenj dhe të fuqishëm. Këto nuk ndezin tek unë dhe me asnjë tjetër që është serioz në punën e vetë”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiq ndërkohë ka folur edhe për deklaratat e kryekuvendarit të Kosovës, Glauk Konjufca, që tha se “plani franko-gjerman është i pranueshëm për Kosovën, pasi nuk ka Asociacion të komunave me shumicë serbe në të. Porse në atë plan thuhet të zbatohen marrëveshjet e deritashme, dhe meqë Asociaconi është hedhur nga Gjykata Kushtetuese, duhet formë e re e Asociaconit”.

Vuçiqi ka thënë se Konjufca ka folur ashtu siç mendojnë “të gjithë në Prishtinë”.

“Ai tha vetëm atë që të gjithë ata mendojnë, sepse ai paragjykim se ne duhet t’i lejojmë ata në OKB, dhe pastaj do ta formojnë Asociacionin për ne, është një gënjeshtër që nuk duhet të besojmë, kështu që është e gjitha e pakuptimtë”, ka thënë Vuçiq. “Një deklaratë e pritshme, dhe unë e përgëzoj që më në fund u treguan të sinqertë. Tani le të shohim se çfarë do të bëjnë amerikanët dhe evropianët”, tha Vuçiq.

MARKETING