Vuçiq thotë se Serbia do të shpenzojë 740 milionë euro për pajisje ushtarake këtë vit

Vuçiq thotë se Serbia do të shpenzojë 740 milionë euro për pajisje ushtarake këtë vit

Serbia do t’i shpenzojë rreth 740 milionë euro vetëm këtë vit për blerjen e pajisjeve ushtarake dhe armatim, tha të shtunën presidenti serb Aleksandar Vuçiq, në një konferencë për shtyp në Agjencinë për Siguri Ushtarake.

Lideri serb i bëri këto komente vetëm dy ditë pasi Shtetet e Bashkuara e pranuan një kërkesë nga Kosova për blerjen e raketave antitanke Javelin, e cila do të shqyrtohet nga Kongresi amerikan.

“Serbia aktualisht ka 186 milionë euro në dispozicion, të cilat do t’i shpenzojmë menjëherë për blerjen e mjeteve dhe armëve nga fabrikat vendase të industrisë së dedikuar”, tha Vuçiq.

Ai njoftoi se gjatë këtij viti do të jenë gati edhe dy pako me nga 150 dhe 400 milionë euro për pajisje shtesë dhe armatim të Forcave të Armatosura të Serbisë.

Ato para janë ndarë përveç 360 milionë eurove të ndara në buxhetin e Serbisë për armatim shtesë, tha Vuçiq.

“Kur t’i bashkoni të gjitha këto, do të shihni se ky do të jetë viti në të cilin ne do të pajisemi më së miri, më shpejt dhe më fuqishëm”, tha Vuçiq.

Duke folur për vendimin e SHBA-së për t’i shitur Kosovës 246 raketa antitank të prodhimit amerikan, si dhe pajisje përcjellëse, Vuçiq tha se kjo lëvizje është në kundërshtim me Rezolutën 1244, e cila, shtoi ai, nuk parasheh që Kosova të ketë ushtri.

MARKETING