Vuçiq: Nëse nuk e pranojmë planin e “pesëshes”, procesi i integrimit evropian të Serbisë do të ndërpritet

Vuçiq: Nëse nuk e pranojmë planin e “pesëshes”, procesi i integrimit evropian të Serbisë do të ndërpritet

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sonte se në takimin me “pesëshen” ndërkombëtare të premten, i është thënë se duhet ta pranojnë propozimin e tyre, sepse në të kundërtën do të ndërpritet procesi i integrimeve evropiane.

Ai shtoi se i është thënë se Serbia do të përballet me ndalimin dhe tërheqjen e investimeve, që do të jetë një masë e përgjithshme ekonomike që do të ketë pasoja për Serbinë.

“Po t’i kisha përzënë dhe të thosha që nuk do të negocioja, regjimi ynë pa viza do të ishte hequr. Gjëja e dytë që do të na ndodhte është se nuk do të kishim më investime dhe investitorët do të tërhiqeshin”, shpjegoi ai.

Mirëpo, siç shtoi ai, i ka bërë të qartë atyre se “çfarë është e papranueshme për Serbinë”.

Në fillim ai theksoi se të gjithë e kanë parë në media versionin e parë të planit franko-gjerman në ditët e kaluara, i cili nuk ka asnjë ndryshim nga versioni i dytë.

“Kam frikë se askush nuk donte të fliste për kontekstin. Kur shikon një letër, nuk është e lehtë të gjesh diçka për të cilën të emocionohesh. Përkundrazi”, tha presidenti serb.

Sipas tij, rrethanat gjeopolitike kanë ndryshuar, Evropa de fakto është në luftë dhe lind pyetja se çfarë ka kontribuar tjetër për një qasje kaq të ashpër.

“Konteksti i plotë rajonal evropian është i tillë që pas shpërthimit të konfliktit ukrainas-rus, ai u bë një nga problemet më të mëdha për Serbinë, sepse jemi në radarin e të gjithëve, sepse nuk vendosëm sanksione ndaj Rusisë dhe për shkak të provokimeve të vazhdueshme të Kurtit”, tha Vuçiq.

Vuçiq gjithashtu bëri të ditur se ka qenë gjithmonë kundër konfliktit të ngrirë, të cilin e konsideron si zgjidhjen më të keqe të mundshme.

“Jam i shqetësuar se nuk ka qasje racionale për zgjidhjen e problemit. Çfarëdo që thashë, bazuar në fakte dhe letra, kuptova se koha e arsyes kishte mbaruar. Ata kanë axhendën e tyre – disfata e Rusisë dhe gjithçka në rrugën e tyre do të fshihet. Kur them se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të bëhet fillimisht, ata thonë se nuk është realiste dhe se duhet të përfshihet në një marrëveshje tjetër. Asnjë argument objektiv dhe racional nuk do të kalojë. Ne duam kompromis dhe bisedime. Të dyja palët duhet të bëjnë lëshime. Edhe ne e kemi kuptuar këtë, por problemi është kur njëra palë mund të bëjë çfarë të dojë dhe të shpërblehet me një regjim pa viza”, tha Vuçiq. /Telegrafi/