Vuçiq flet pas takimit me Escobar: Folëm për mundësitë e gjetjes së një kompromisi të qëndrueshëm

Vuçiq flet pas takimit me Escobar: Folëm për mundësitë e gjetjes së një kompromisi të qëndrueshëm

I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka takuar sot në Beograd presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pas takimit, Vuçiqi deklaroi se ka pasur një bisedë “të hapur dhe të drejtë” me zyrtarin amerikan dhe se beson në përmirësimin e marrëdhënieve me SHBA-në.
“Një bisedë e hapur dhe korrekte me përfaqësuesin amerikan. Besoj në përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së”, ka shkruar Vuçiqi në Instagram pas takimit, shkruan N1.

Kabineti i Vuçiqit pas takimit njoftoi se është diskutuar për procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe “për mundësitë për gjetjen e një kompromisi të qëndrueshëm në dialogun e zhvilluar me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”.

Sipas raporteve, Vuçiq “përsëriti qëndrimin e pandryshuar” të Serbisë në lidhje me ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me theks në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani dhe ruajtjen e interesat shtetërore dhe kombëtare.

Ai ka falënderuar SHBA-në për mbështetjen që i japin dialogut të Brukselit, si dhe për angazhimin kur është fjala për sigurinë dhe mbrojtjen e popullit serb në Kosovë dhe formimin e asociacionit.

Vizita e Escobarin vjen vetëm pak kohë pasi Kosovën dhe Serbinë i vizitoi përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Miroslav Lajçak, i cili në kuadër të përgatitjeve për takimin e liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Ohër më 18 mars, u takua me zyrtarët më të lartë të Kosovës dhe Serbisë, por edhe me përfaqësues të opozitës.

Presidenca serbe njoftoi se Vuçiqi do t’u drejtohet qytetarëve nesër, më 16 mars.

Të shtunën, më 18 mars, në Ohër do të takohen kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në kuadër të dialogut.

MARKETING