Vrasja dhe plagosja në veri të Kosovës, Mexhiti: Provokim i radhës nga Serbia për shtetin demokratik të Kosovës
Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti ka reaguar pas vrasjes dhe plagosjes së policëve në veri të Kosovës. Mexhiti këtë veprim e ka cilësuar si një provokim të radhës nga Serbia për shtetin demokratik të Kosovës.
Sipas tij, transmeton SHENJA, tani është koha për të treguar maturi dhe gjakftohtësi.
“Akti i sulmit të mbrëmshëm ndaj Policisë së Kosovës si pasojë e të cilit kanë mbetur të vrarë një polic dhe një është i plagosur, paraqet edhe një provokim i radhës nga Serbia për shtetin demokratik të Kosovës.
Me këtë veprim të shëmtuar vërehet qartë se kush për çfarë është përcaktuar në ruajtjen e stabilitetit në Ballkan.
Duke vlerësuar rolin e faktorit ndërkombëtar si vlerë e pakontestueshme e paqes, urojmë që sa më parë të ketë normalizim të situatës e cila vazhdon të ngelet e tensionuar.
Është koha për të treguar maturi dhe gjakftohtësi.
Ngushëllime familjes Bunjaku dhe shërim të shpejtë për të plagosurit!”, ka shkruar Mexhiti.