Voska nuk e don Stojçevskin, kërkon nga FFM-ja tjetër arbitër për duelin me Rabotniçkin

Skuadra e Voska Sport këtë fundjavë do të përballet me Rabotniçkin në kryeqytet në kuadër të xhiros së 20-të në elitën e futbollit vendor.
Nga ekipi shqiptar i Ohrit kanë dalur me një reagim, duke kërkuar nga Federata e futbollit të Maqedonisë së Veriut që ta ndryshojnë arbitrin kryesor të deleguar për këtë ndeshje.
Voska nuk e dëshiron Igor Stojçevskin për këtë sfidë, duke thënë se nuk kanë përvoja të mirë me këtë arbitër në të kaluarën.
REAGIM I VOSKA SPORT:
Voska Sport shpreh shqetësimin e saj lidhur me vendimin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut për të deleguar Igor Stojçevskin si arbitër kryesor në ndeshjen e xhiros së 20-të kundër Rabotniçkit.
Duke pasur parasysh përvojat tona të mëparshme me këtë arbitër, ku kemi qenë dëshmitarë të referimeve të diskutueshme dhe vendimeve që nuk kanë pasqyruar drejtësinë në fushë, shprehim rezervat tona të thella për drejtimin e kësaj ndeshjeje nga ai. Futbolli duhet të mbetet një sport, ku rezultatet vendosen vetëm nga loja në fushë, dhe jo nga vendime të paleve tjera që mund të ndikojnë në rezultatin final.
Në këtë drejtim, i bëjmë thirrje FFM-së që të shqyrtojë me seriozitet këtë çështje dhe të bëjë ndryshimin e arbitrit kryesor për këtë duel, duke garantuar kështu një referim të drejtë dhe të paanshëm, siç e kërkon fryma e fair-play-it.
Ne si klub do të vazhdojmë të jemi të përkushtuar ndaj lojës së ndershme, duke kërkuar që të gjitha ekipet të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe me profesionalizëm në këtë kampionat.