Vogëlushi shqiptar “driblon” sigurimin në Santiago Bernabéu dhe merr fanellën e Mbappé!
Një moment emocionues për një djalosh shqiptar nga Gostivari, i cili realizoi ëndrrën e tij për t’u takuar me idhullin Kylian Mbappé. Vogëlushi Reis Fejzi, nxënës dhe futbollist pasionant që stërvitet futboll te Qendra Stërvitore ES nga Kamenjani i Tetovës, udhëtoi enkas drejt Madridit (Spanjës) për të ndjekur nga afër ndeshjen Real Madrid-Las Palmas (4-1), e zhvilluar në Santiago Bernabéu.
Pas përfundimit të ndeshjes, Reis shfrytëzoi momentin për të “dribluar” sigurimin dhe për t’u afruar pranë yllit francez Kylian Mbappé. Përpjekja e tij plot guxim u shpërblye me një fanellë dhuratë nga vetë Mbappé, duke i dhuruar vogëlushit një kujtim të paharrueshëm.
Pasioni dhe vendosmëria e Reis Fejzi janë shembull për shumë të rinj. Me punë dhe përkushtim, ai ëndërron që një ditë të ndjekë hapat e idhullit të tij dhe të bëhet një futbollist i suksesshëm. Ky moment magjik në Madrid është një shtysë e madhe për rrugëtimin e tij sportiv. /Sportmania