VMRO-DPMNE: Simbioza Zaev–Filipçe po e çon LSDM-në drejt zhdukjes politike

VMRO-DPMNE: Simbioza Zaev–Filipçe po e çon LSDM-në drejt zhdukjes politike

VMRO-DPMNE ka reaguar ndaj veprimeve dhe qëndrimeve të fundit të LSDM-së dhe drejtuesve të saj, duke i cilësuar ato si një simbiozë politike mes ish-kryeministrit Zoran Zaev dhe Venko Filipçes, të cilin e quajnë “Zaefçe”.

Sipas VMRO-DPMNE-së, bashkimi i asaj që ata e quajnë kriminalitet politik i Zaevit me servilizmin e Filipçes ka krijuar një formacion të paqartë opozitar, për të cilin nuk dihet nëse vepron në Maqedoninë e Veriut apo në Serbi. Partia akuzon se deklaratat e gjata dhe komunikatat politike të LSDM-së po dërgohen nga Beogradi dhe, sipas tyre, janë përgatitur nga ish-këshilltari i Zaevit, Bashanoviç me fokus më të madh në analizën e skenës politike serbe sesa në realitetin maqedonas.

VMRO-DPMNE thekson se nuk përzihet në zhvillimet politike të Serbisë dhe se interesi i vetëm i saj mbetet ai i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Në të kundërt, sipas tyre, obsesioni i Filipçes me Serbinë dhe deklaratat e përkthyera dobët nga serbishtja dëshmojnë një drejtim të gabuar politik, që synon ta shndërrojë atë në një figurë radikale dhe të papranueshme për skenën politike vendore.

Në reagim thuhet se kjo simbiozë e re politike po e çon LSDM-në drejt “pasokizimit” dhe zhdukjes së sigurt politike, një rrugë që, sipas VMRO-DPMNE-së, është zgjedhje e vetë kësaj partie. Më tej, LSDM akuzohet se është shndërruar në një mjet në shërbim të interesave personale dhe forcave të jashtme.

Në fund, VMRO-DPMNE vë në pikëpyetje kredibilitetin e Venko Filipçes, duke përmendur lidhje biznesi jashtë vendit, viza të huaja dhe mentorë politikë nga rajoni, duke theksuar se, sipas tyre, ai nuk mund të përfaqësojë të ardhmen e Maqedonisë së Veriut.

MARKETING