VMRO-DPMNE: LSDM dhe BDI dinin gjithçka, mirëpo heshtën përballë krimit dhe korrupsionit

VMRO-DPMNE: LSDM dhe BDI dinin gjithçka, mirëpo heshtën përballë krimit dhe korrupsionit

VMRO-DPMNE ka akuzuar LSDM-në dhe BDI-në për tolerimin e veprimeve kriminale të zyrtarëve të tyre, duke i lejuar ato të depërtojnë në të gjithë shoqërinë vetëm për të ruajtur koalicionin qeverisës. Sipas VMRO-DPMNE-së, këto parti kishin njohuri për veprimet e dyshimta të Artan Grubit dhe heshtën për të ruajtur “paqen e koalicionit” dhe për të siguruar më shumë mundësi për pasurim personal.

Në një reagim të partisë, thuhet se Zoran Zaev, Venko Filipçe dhe Oliver Spasovski ishin aleatët e parë të Grubit, duke e ditur për krimin e tij, por duke e toleruar atë dhe duke mos e ndjekur. VMRO-DPMNE theksoi se qëllimi i tyre ishte vazhdimi i marrëveshjeve të errëta, tenderave privatë, korrupsionit dhe kriminalitetit, në mënyrë që të përfitonin nga ky sistem.

Po ashtu, VMRO-DPMNE thekson se për një periudhë të gjatë kanë ngritur alarmin për aktivitetet kriminale të këtyre partive, por institucionet që ndodheshin nën udhëheqjen e LSDM-së dhe BDI-së nuk reaguan. Sipas kësaj partie, për të paktën shtatë vjet, LSDM dhe BDI ishin të përqendruar vetëm në pasurimin personal të udhëheqësve të tyre dhe të atyre që i mbështesnin, duke lënë pas dore interesat e qytetarëve.

VMRO-DPMNE i kërkon LSDM-së dhe BDI-së të japin përgjegjësi për veprimet e tyre dhe për lejen që i dhanë Grubit të vazhdonte me abuzimet financiare, duke shkaktuar varfëri dhe shkatërrim të institucioneve. Ata kërkojnë përgjigje për shkallën e korrupsionit dhe dyshimet që lidhen me tenderat e fshehtë dhe marrëveshjet e dyshimta të përfshira në këtë periudhë qeverisëse.

MARKETING